Crotone dominon në shtëpi 3-1 Cagliarin

E publikuar: 18/01/2016 22:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Crotone mori e vetme kreun e Serisë B pasi mundi në një ndeshje direkte Cagliarin me rezultatin 3-1 duke humbur madje dhe një 11-metërsh në këtë përballje.

Skuadra e drejtuar nga Ivan Juric shfrytëzoi në maksimum faktorin fushë për të parakaluar në renditje sardët duke luajtur një ndeshje pothuajse të përsosur. Goli i Ante Budmir që në minutën e 2-të i dha siguri skuadrës kalabreze, pavarësisht se Cagliari nuk u dorëzua dhe arriti të barazojë me Fariasin. Goli i Bruno Martellës në minutën e fundit të pjesës së parë rezultoi vendimtar për fitoren e vendasve.

Cagliari mbeti me 10 vetë në fushë në minutën e 53-të, pasi Balzano mori kartonin e dytë të verdhë në këtë ndeshje. Crotone e shfrytëzoi maksimalisht superioritetin numerik në fushë dhe në të 74-trën shënoi dhe golin e 3-1 me Federico Riccin. Ndërkohë që 3 minuta më pas Salzano gaboi nga pika e bardhë për vendasit, që gjithsesi nuk ndikoi në rezultatin përfundimtar pasi Crotone fitoi 3-1 duke qenë tashmë kryesues i vetëm i Serie B.