Bosnjë e Hercegovina nuk do të ndryshojë qëndrim ndaj çështjes së njohjes së Kosovës si shtet i pavarur, por nga ana tjetër kjo nuk do të thotë se mes dy vendeve nuk duhet të ketë asnjë kontakt apo bashkëpunim në dobi të qytetarëve.
Kështu është shprehur dje në Tiranë, ministri i Jashtëm i Bosnje-Hercegovinës, Igor Crnadak, gjatë një takimi që pati me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati.
Ndërsa foli për qëndrimin e Bosnjës ndaj Kosovës, ministri tha se po mendohet të nënshkruhen disa marrëveshje për të lehtësuar lëvizjet e qytetarëve nga njëri vend në tjetrin si dhe për shkëmbimet tregtare.
Ndërkohë gjatë kësaj vizite në Tiranë, mes Shqipërisë dhe Bosnjës, u nënshkrua “Marrëveshja mbi lëvizjen e ndërsjellë të qytetarëve me Karta Identiteti”.
Ministri Bushati tha se marrëveshja më së shumti i shërben turizmit, pasi tani mëpushuesit do ta kenë më të lehtë lëvizjen nga njëri vend në tjetrin.
Gjithashtu, ministrat trajtuan çështjet e integrimit euro-atlantik të vendeve të rajonit si dhe zhvillimet e fundit në kuadrin e Procesit të Berlinit në prag të takimit të ardhshëm të Vjenës.Në këtë kuadër, Ministri Bushati i kërkoi kolegut të tij boshnjak mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në nismat rajonale të A-5 dhe RACVIAC si dhe njohjen e saj si shtet i pavarur.