Skuadra braziliane siguroi fitoren 4-t në grup në po kaq ndeshje pasi mposhti lehtësisht 4-0 uruguaianët e Danubios.
Nuk ka pengesa të pakalueshme për Corinthiasin në Copa Libertadores. Skuadra braziliane siguroi fitoren 4-t në grup në po kaq ndeshje pasi mposhti lehtësisht 4-0 uruguaianët e Danubios në sfidën e zhvilluar në Arena Corinthias të Sao Paulos. Një sukses ky që thuajse e ka kualifikuar në raundin tjetër skuadrën e trajnerit Tite pasi Corinthiasi kryeson grupin e 2-të me 12 pikë 6 më tepër se San Lorenzo dhe Sao Paulo që ndajnë mes tyre vendin e dytë dhe të 3-të. Ishte Jadson që zhbllokoi shifrat në minutën e 26-të të sfidës. Mesfushori i Corinthiasit ekzekutoi mjeshtërisht një goditje standarte për avantazhin 1-0 të skuadrës vendase. 6 minuta më pas peruani Paulo Guerrero shfrytëzoi një harkim të Elias dhe me një goditje të saktë me kokë realizoi edhe golin e avantazhit të dyfishtë për Corinthiasin.
Vetëm pak sekonda pas fillimit të pjesës së dytë ish sulmuesi Bayernit dhe Hamburgut tregoi gjithë klasin e tij me një veprim akrobatik duke vendosur në kasafortë fitoren e formacionit vendas. Por Guerrero kompletoi mbrëmjen e tij magjike me golin e 4-0 dhe të tretin personal në minutën e 68-të pas asisit të Jadson. Megjithatë sfida më e luftuar e grupit të dytë u zhvillua qindra kilometra më larg pikërisht në Buenos Aires ku San Lorenzo mposhti 1-0 Sao Paulon me një gol Cauteruccios. Me këtë fitore skuadra argjentinase barazoi në kuotën e 6 pikëve Sao Paulon edhe pse brazilianët mbajnë ende vendin e dytë në sajë të goleavarazhit më të mirë.