Ndërmjetësi i parë i dialogut Kosovë-Serbi, Robert Cooper, ka zbuluar qëllimin kryesor të procesit që po ndodh në Bruksel.
Në një shkrim autorial për disa portale evropiane, ish-lehtësuesi i dialogut, tash diplomat në pension, ka thënë se qëllimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë është rregullimi i brendshëm i Kosovës.
Ai madje ka justifikuar dialogun që e ka udhëhequr vetë, derisa palët përfaqësoheshin nga Edita Tahiri e Kosovës dhe Borisllav Stefanoviq nga Serbia, duke e quajtur atë më teknik në raport me dialogun kur bisedojnë dy kryeministrat – fillimisht nën ndërmjetësimin e Ashtonit dhe tash Mogherinit.
Sipas tij, temat që po diskutohen në Bruksel janë eksploziv sa i përket rregullimit të brendshëm të Kosovës.
“Nganjëherë është e dobishme të fokusohesh në aspektin teknik dhe të pretendosh se nuk ka kurrfarë lidhjeje me politikën. Në fakt, edhe çështjet që në jetën e përditshme do të mund të konsideroheshin teknike, ta zëmë si puna e vulave të doganave të Kosovës, ishte bllokuar në nivelet më të larta politike. Pjesa e dytë e dialogut – marrë përsipër drejtpërdrejt prej zonjës Ashton me kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës – ishte pa asnjë fije dyshimi edhe më politike, por kështu duhej thënë sepse çështjet me të cilat po merreshim qenë eksplozive në aspektin e brendshëm të funksionimit”.
Ish-lehtësuesi ka thënë se është vështirë të kërkohet nga Serbia që ta njoh Kosovën para anëtarësimit në BE, derisa ka vende te BE-së që nuk e kanë bërë një gjë të tille. Ai ka thënë së te dyja vendet megjithatë mund te bashkëjetojnë edhe brenda BE-se nëse zhvillohen marrëdhënie sipas modelit te dy Gjermanive.