Ish-ndërmjetësi në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, ka thënë se të dyja palët po gëzojnë vëmendjen e mediave, por nuk po arrijnë një marrëveshje, që është dëshmi se sa të dobët janë, është shprehur ai për Zërin e Amerikës.
“Duket se ata (Beogradi dhe Prishtina) nuk shohin ndonjë rrezik të veçantë në këtë dhe nuk janë të shqetësuar. Është sikur kënaqen me vëmendjen e mediave, deklaratat bombastike dhe shfaqjen e gjoja forcës. Por, duke mos arritur marrëveshje, ata në fakt tregojnë se sa të dobët janë”, tha ish-diplomati britanik.
Cooper shtoi se ka përshtypjen se as Beogradi dhe as Prishtina nuk kanë vendosur që duan ta zgjidhin problemin.
Ish-diplomati e sheh si një mundësi të shkëlqyer mundësinë e arritjes së një “marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, bazuar në propozimin franko-gjerman të mbështetur nga Bashkimi Evropian”.
“Do të ishte mirë – megjithëse nuk jam i sigurt se cilat janë detajet e një propozimi të tillë. Ka shumë prej tyre që qarkullojnë – propozime të shumta janë testuar në publik. Vite më parë u arrit një marrëveshje për një Asociacion të Komunave me shumicë serbe – që dukej si një mënyrë e arsyeshme për t’iu qasur çështjes së serbëve në Kosovë”, tha Cooper dhe shtoi se nuk është i sigurt nëse palët në proces janë të gatshme për një gjë të tillë.
Cooper vlerësoi se është me rëndësi jetike që BE dhe SHBA të punojnë së bashku për këtë.
“Është jetike të punojmë së bashku për këtë, sepse situata meriton vëmendje dhe është potencialisht e rrezikshme. Kanë kaluar njëzet vjet nga konflikti në Kosovë, kjo është një kohë e gjatë dhe gjërat ende nuk janë zgjidhur”, tha Cooper, duke shtuar se situata është më e mirë, disa nga gjërat kanë përfunduar, por procesi nuk ka përfunduar.
Në vitin 2011 dhe 2012, Cooper ndërmjetësoi bisedimet që filluan pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë lëshoi një opinion këshillues në vitin 2010, me kërkesë të Serbisë, se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare.
Pas kësaj, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë me të cilën ftoi Serbinë dhe Kosovën në dialog për inkurajimin e bashkëpunimit – i cili, siç u tha, do të siguronte përparimin e të dy palëve në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe një jetë më të mirë për qytetarët e tyre.