Çollaku: Prioritet, liberalizimi i vizave

E publikuar: 17/04/2015 14:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, të cilin e ka uruar për detyrën e re dhe e ka falënderuar për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës.
Duke qenë mirënjohës për përkrahjen e fuqishme britanike edhe ndaj agjendës evropiane të Kosovës, ministri e ka njoftuar atë me reformat e ndërmarra dhe hapat tjerë që pritet të ndërmerren nga Qeveria, me qëllim të avancimit të procesit integrues.

Lidhur me këtë, ka potencuar se këtë vit prioritet për Kosovën janë liberalizimi i vizave si dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

“MSA-ja ka një rëndësi të veçantë për vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së dhe tani ne jemi duke lëvizur para në këtë drejtim dhe pritet që nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të ndodh sipas dinamikës së dakorduar mes Kosovës dhe BE-së . Ky do të jetë një hap i ri dhe i rëndësishëm në procesin reformues të Kosovës”, ka thënë Çollaku.

Kurse, ambasadori O’Connell, ka rikonfirmuar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar ndaj procesit integrues të Kosovës në BE./infosot/