Bekim Çollaku, ministër i Integrimeve Europiane, në një ligjëratë të mbajtur sot në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, ka folur për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ai ka thënë se Kosova prioritet e ka liberalizimin e vizave dhe se kjo çështje është drejt fazës finale, raporton Indeksonline.
“Kosova i ka vetëm edhe tre javë kohë për përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se Kosova sa i përket agjendës evropiane i ka vetëm dy rrugë.
“Përpos prioritetit të liberalizimit të vizave, në agjendën evropiane janë edhe vetëm dy rrugë. Ato janë: rrugëtimi në Bashkimin Europian dhe anëtarësimi në NATO”, është shprehur Çollaku.
Ministri i Integrimeve, ka thënë se tashmë Kosova është në fazën finale të kompletimit të raportit.
Ai ka shtuar se kur të bëhet liberalizimi i vizave, kosovarët duhet të tregohen të vetëdijshëm që të mos abuzojnë me këtë fakt.
“T`i respektojmë rregullat e lejeqëndrimit dhe procedurat e tjera”, ka thënë ai.