Coinbase ditën e djeshme lajmëroi mbështetjen e plotë për Bitcoin Cash, që do të thotë se përdoruesit mund të dërgojnë, pranojnë, shesin e blejnë monedhën kriptografike.
Të gjithë përdoruesit gjithashtu do të kreditohen me një sasi Bitcoin Cash barabartë me sasinë e bitcoin-ëve që posedojnë.
Kjo sepse bitcoin cash është një klon i bitcoin i shkëputur më 1 Gusht të këtij viti.
Menjëherë pas këtij lajmi, vlera e bitcoin ra me 25% deri në 14,000 dollar por tani është stabilizuar në 17,000 dollarë sipas Coinbase.
Nga ana tjetër Bitcoin Cash u rrit me 50% duke u arritur deri në 3,600 dollarë në këto momente që shkruajmë sipas Coinbase.
Bitcoin Cash u themelua në Gusht nga një grup zhvilluesish të cilët kërkonin alternim të kodit të Bitcoin në mënyrë që blockchain-i i monedhës të përpunonte më shumë dhe më shpejtë transaksionet.
Kur zhvilluesit kryesorë të Bitcoin nuk gjetën dakordësi mes tyre, grupi në fjalë vendosi të ndahej duke kopjuar dhe modifikuar kodin e bitcoin për të krijuar Bitcoin Cash.
Në fillim Coinbase tha se nuk do të mbështeste monedhën por shumë shpejt ndryshoi qëndrim.
Por një gjë e pazakontë ndodhi me bursën e monedhave kriptografike e cila ka filluar një hetim të gjerë brenda kompanisë.
Coinbase është e shqetësuar se disa punonjës së kompanisë kanë shfrytëzuar momentin kur ka nisur tregtimi i Bitcoin Cash në platformën e saj për të përfituar.
Aktualisht është ndërprerë tregtimi i monedhës sepse Bitcoin Cash filloi të rritej në vlerë përpara se Coinbase të lajmëronte konsumatorët.
Pak minuta nga debutimi, bursa Global Digital Asset Exchange e Coinbase ndaloi tregtimin dhe çdo porosi e bërë deri ato momente u anullua.
Bitcoin Cash është aktualisht monedha e tretë kriptografike më e madhe në botë me një vlerë tregu prej 59 miliard dollarësh sipas CoinMarketCap.com. /PCWorld Albanian