CNN publikon video të përplasjes mes aeroplanit e helikopterit në ShBA

E publikuar: 31/01/2025 18:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Televizioni amerikan, CNN, ka siguruar pamje shumë më të qarta dhe të papublikuara deri më tani të aksidentit të tmerrshëm ajror që ndodhi të mërkurën në Uashington.

Raportohet se 67 njerëz vdiqën, kur një aeroplan i kompanisë “American Airlines” dhe një helikopter ushtarak amerikan u përplasën mes vete mbi Lumin Potomac.

Komandanti i zjarrfikësve në Uashington, John Donnelly, konfirmoi të premten se 40 trupa tashmë janë nxjerrë.

Më herët u raportua se në kullën e kontrollit në aeroport, një mbikëqyrës i kontrollit të trafikut ajror i kishte dhënë leje një kontrollori që ta lëshonte punën më herët.

Kjo hollësi, e raportuar së pari nga gazeta “The New York Times”, është konfirmuar edhe për televizionin “NBC News” nga një burim i afërt me hetimin.

Në aeroplanin e kompanisë “American Airlines” ndodheshin 60 pasagjerë e katër anëtarë ekuipazhi në kohën e aksidentit, ndërsa në helikopter ndodheshin tre ushtarë.