Edi Rama ua vodhi zgjedhjet dhe parlamentin, siç thonë PD-LSI e forca të tjera opozitare. Median e ka bllokuar me leje ndërtimi dhe pazare, biznesin e ka pas vetes me thasë me lekë, qeverinë e ka ndërtuar siç ka dashur, SHISH-in ua mori me dinakëri, po merr dhe Kryeprokurorin dhe pas pak javësh edhe gjykatat.
Deputetët e PS në Komisionin e Ligjeve miratuan dje tre kandidatura që do të votohen të hënën në parlament, por votimi është paracaktuar për Prokurorin e Përgjithshëm, të përkohshëm. Kjo edhe për faktin se cilido nga të tre të “përzgjedhurit” të votohet ai/ajo ka lidhje me PS ose qeverinë me fije të padukshme.
Me ligj dhe Kushtetutë duhej që Kryeprokurori të votohej nga KLP (Këshilli i Lartë i Prokurorisë) mes disa kandidatura sipas Vettingut dhe Reformës në Drejtësi. Por me hile është vepruar pasi, gjoja, shoqeria civile nuk gjen dot një kandidat për në KLP, pra që të quhet institucion i ngritur. Ndaj PS-ja insiston që mëqënëse KLP nuk është ngritur atëhere po e zgjedhim ne si parlament (si PS), por të përkohshëm! As edhe për një vit tjetër nuk do ta sjellin shoqëria civile kandidatin, ndaj kryeministri po merr nën kontroll edhe Prokurorinë.
Lojë djallëzore e PS.
Kandidatët që ka futur për votim PS-ja, janë: Arta Marku, Ferdinand Elezi dhe Ermira Tafani. Tre emrat e selektuar, mes 7 kandidatëve që u paraqitën, janë çuditërisht ata që u akuzuan nga media dhe opozita për lidhje të afërta miqësore dhe interesash me deputetë të PS dhe me qeverinë. Emrat që do hidhen në votim nuk kanë kaluar procesin e Vettingut, sipas detyrimit kushtetues, dhe u zgjodhën vetëm në bazë të pyetjeve dhe përgjigjeve që u bënë nga deputetët e PS, natyrisht me urdhër nga kryeministri Rama.
Praktikisht të hënën do të votohet një kryeprokuror në shkelje të Kushtetutës, pasi nuk e përzgjodhi Këshilli i Lartë i Prokurorisë, siç parashikon konsensusi i reformës në drejtësi, por vetëm Partia Socialiste. Shkelja tjetër është se kreu i ri i organit të akuzës do të jetë zyrtari më pak i verifikuar nga institucionet. Nuk dihet sa pasuri dhe si e ka bërë ka, dhe as ka informacione mbi aktivitetin e tij gjatë komunizmit dhe pas viteve 1990. Nuk dihet nëse ka lidhje apo miqësi me grupe politike apo kriminale, etj. Natyrisht nuk kemi asnjë të drejtë për ti akuzuar të tre, por si asnjëherë tjetër drejtuesi i një institucioni kushtetues po zgjidhet në mënyrën më pak ligjore të mundshme. E gjithë procedura e ndjekur nga Partia Socialiste, që në nisje, është e njëanshme dhe në shkelje ligjore. Të hënën kryeprokurori i ri do të zgjidhjet me 36 vota nga 84 që parashikohet në Kushtetutë, duke vënë në pikëpyetje gjithë zhvillimet e mëpasshme në vend.
Pra një prokuror politik për të mbyllur dosjet e PS. Kështu të paktën po krijohet ideja publike. Edhe mundet të jetë korrekt, por mënyra e zgjedhjes është krejt politike dhe me interesa nga grupe të caktuara biznesi. Ndërkohë dosjet që PS-ja do të dërgojë me urgjencë në prokurori thuajse janë gati. Çdo ditë selia rozë flet për deputetë të opozitës që duhet të dënohen dhe burgosen. Nëse në akuzat e PS mund të ketë të vërteta dhe çështje për të cilat duhet të flasë drejtësia, por zgjedhja e një kryeprokurori vetëm nga PS do të bëjë që çdo akuzë të merret si politike. Dhe ashtu, politike do jenë goditjet e kryeprokurorit të ri.
Çdo nismë e kryeprokurorit të ri, që nuk do të jetë dhe aq i përkohshëm, do të etiketohet si një sulm që nis nga zyra e PS dhe Kryeministrit. Duke njohur Ramën nuk është çudi që vulën e prokurorisë ta mbajë Engjëll Agaçi, sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë.
Ky është dëmi i kryesor që PS po i bën reformën në drejtësi duke e politizuar atë që në nisje. Ky ngut i PS-së shpjegohet vetëm me mbylljen e shpejtë që kërkon për dosjet e ish-ministrave dhe ministrave të saj. Një kryeprokuror të tillë, PS-ja do ta përdor si fillim për çështjet “Habilajt”, “Tahiri”, “Balili” dhe dhjetëra koncesionet e tjera të dyshimta të ministrave dhe zyrtarëve të PS, duke i pastruar apo mbyllur.
Me afrimin e votimit në Kuvend të emrit të ri të kreut të akuzës, lufta do bëhet edhe më e ashpër. Drejtues të LSI e kanë cilësuar këtë skenar si një puç kushtetues dhe një tentativë për të uzurpuar gjithë institucionet e vendit. Ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha paralajmëroi dje nga Londra se zgjedhja e një kryeprokurori vetëm me votat e PS është fillimi i diktaturës. Sipas Bashës, nëse Rama të hënën zgjedh kryeprokurorin, “opozitës i lind detyra të japë përgjigjen e merituar”. Kreu i PD-së nuk deklaroi se cila ishte përgjigja, por në opsionet e opozitës për reagim është dhe protesta e dhunshme duke destabilizuar vendin.
Megjithatë deri tani PD dhe LSI kanë mbetur në kuadrin e deklaratave nga selitë dhe me postime “lufte” nga facebook-u. Nëse, sipas opozitës, kryeministri Rama po rrëmben institucionet e pavarura një e nga një, atëhere pse është opozita? Për facebook e makiazh apo për të qenë garant i demokracisë kur dhunohet nga pushteti?
Edi Rama ua vodhi zgjedhjet dhe parlamentin, siç thotë PD-LSI e forca të tjera opozitare. Median e ka bllokuar me leje ndërtimi dhe pazare, biznesin e ka pas vetes me thasë me lekë, qeverinë e ka ndërtuar siç ka dashur, SHISH ua mori me dinakëri, po merr dhe Kryeprokurorin dhe pas pak javësh edhe gjykatat.
Atëhere ç’na duhet Opozita?!