Rëniet e vazhdueshme të çmimeve të derivateve të naftës kanë nisur të kenë ndikimin e tyre edhe në Kosovë, por jo edhe aq sa shumë qytetarë do të mund ta prisnin, raporton KTV.
Çmimi për një litër naftë është 88 centë për litër, përderisa për benzinë çmimi është 92 centë litri. Një nga vozitësit që bleu naftë në një nga pikat kufitare thotë se çmimi është më i lirë në krahasim me Shqipërinë, por më i lartë në krahasim me Maqedoninë.
Sipas tij, kjo nuk do të paraqiste shumë probleme për veturën e vogël, por për ata që ngasin maune, kjo ka kosto.
Shitësit e arit të zi uljen e ngadaltë të çmimit e lidhin me taksat e larta që duhet t’i paguajnë për këtë produkt. Mirëpo, ky çmim nuk është i njëjtë në të gjitha pikat e shitjes së karburanteve.
Vitin e kaluar është kërkuar formimi i një institucioni që do të merrej me kontrollimin e lëvizjeve të çmimeve, por se institucionet nuk reflektuan karshi kësaj kërkese.