Çmimet e ndryshueshme të naftës përplasin Kusarin dhe Kocin në Facebook

E publikuar: 04/04/2026 21:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një debat publik në Facebook u zhvillua sot mes ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, dhe avokatit Arianit Koci lidhur me çmimin e derivateve të naftës dhe zbatimin e vendimit për kufizimin e tyre.

Avokati Arianit Koci, në cilësinë e përfaqësuesit juridik të kompanisë HIB Petrol, ka deklaruar se kompania nuk ka bërë asnjë shkelje të vendimit në fuqi të Ministrisë.

Sipas tij, vendimi nuk përcakton çmim tavan, por vetëm kufirin e marzhës tregtare. Ai theksoi se, bazuar në Dokumentin Unik Doganor, çmimi i furnizimit të naftës ka qenë rreth 1.86 euro për litër dhe se çmimi prej 1.94 euro i aplikuar nga kompania është brenda kufijve të lejuar.

“Çmimi i aplikuar nga HIB Petrol prej 1.94 euro për litër është brenda këtij kufiri dhe në përputhje të plotë me vendimin. HIB Petrol ka respektuar në vazhdimësi vendimet e Ministrisë dhe të Qeverisë dhe mbetet i hapur për çdo sugjerim institucional dhe bashkëpunim konstruktiv. Çmimet e furnizimit përcaktohen në tregjet ndërkombëtare dhe ndryshojnë pothuajse në baza ditore, duke mos qenë nën kontrollin e operatorëve individualë” ka shkruar Koci, duke paralajmëruar mjetet juridike nëse vijojnë sulmet e tilla ndaj kompanisë.

Nga ana tjetër, ministrja Mimoza Kusari-Lila ka kundërshtuar këtë interpretim, duke sqaruar se çmimi maksimal përcaktohet mbi bazën e çmimit mesatar të importit të raportuar në Doganën e Kosovës një ditë më parë.

Sipas saj, ky çmim ka qenë 1.77 euro për litër, dhe me shtimin e marzhës së lejuar, çmimi maksimal për ditën në fjalë arrin në 1.91 euro. Çdo çmim mbi këtë nivel, sipas saj, përbën shkelje të vendimit.

“Kompania që përfaqësoni dhe të gjitha kompanitë tjera, sot nuk shesin derivatet e importuara dje, por sasi të blera ditë më parë. Prandaj edhe si bazë e përcaktimit të çmimit përdoret çmimi mesatar i importit për tërë sasinë e importuar një ditë më parë.

Faleminderit për mirëkuptim dhe kryerje të obligimit tuaj si operator ekonomik!” ka komentuar Kusari-Lila, në postimin e avokatit.

Ky koment gjeti kundër-replikë nga Koci, i cili insistoi se nafta e HIB Petrol është importuar një ditë më parë me çmim 1.86 euro për litër, duke u mbështetur në dokumente zyrtare të Doganës.

Ai gjithashtu ka vënë në pikëpyetje metodologjinë e përdorur nga ministria për përcaktimin e marzhës, duke kërkuar sqarime mbi përfshirjen e kostove reale të operatorëve.

“Kërkoj nga ju të sqaroni publikisht metodologjinë mbi të cilën është përcaktuar marzha prej 12 cent për litër. Cila është formula? Cilat elemente të kostos i keni përfshirë? A janë marrë parasysh të gjitha shpenzimet reale të operatorëve, përfshirë transportin, magazinimin, humbjet teknike dhe kostot operative?” përfundoi Koci. /indeksonline