Sivjet është 50-vjetori i zbulimit të artemisininës. Para 50 vjetëve shkencëtarët kinezë, të përfaqësuar nga Tu Youyou, zbuluan për herë të parë dhe nxorën me sukses artemisininën, duke e ndihmuar Kinën të zhdukte plotësisht malarien. Një ilaç kaq të mirë e të dobishëm, Kina e ka promovuar bujarisht në të gjithë botën.
Sipas ekspertëve, artemisinina ka efekt të shpejtë në trajtimin e malaries dhe ka pak efekte anësore, është e lirë dhe e lehtë për t’u përdorur dhe është shumë e njohur në bashkësinë ndërkombëtare. Që nga viti 2000, OBSh-ja e ka konsideruar artemisininën si ilaçin e zgjedhjes së parë kundër malaries. Sipas
statistikave të OBSh-së, artemisinina ka shpëtuar miliona jetë në mbarë botën dhe ka trajtuar qindra miliona pacientë çdo vit. Rreth 240 milionë njerëz në Afrikën Nënsahariane kanë përfituar nga artemisinina, të cilën afrikanët e quajnë si “ilaçi magjik nga Lindja e Largët”.
Deri në fund të vitit 2021, Kina ka trajnuar dhjetëra mijë specialistë kundër malaries për vendet në zhvillim, ka ndihmuar në ndërtimin e qendrave të parandalimit dhe kontrollit të malaries në 30 vende dhe ka dërguar 28 000 anëtarë ekipesh të ndihmës mjekësore në 72 vende në zhvillim.
Përveç artemisininës, shumë afrikanë ende kujtojnë se, kur Afrika u godit nga epidemia e ebolës, Kina dërgoi menjëherë ekipe mjekësore për ta ndihmuar Afrikën dhe çoi materiale të ndihmës urgjente në këtë kontinent. Në kohë krize, Kina është shembull i asaj se çfarë do të thotë “mik i vërtetë”.
Tani njerëzimi po përballet me epideminë më të rëndë gjatë 100 vjetëve të fundit. Ashtu si dhurimi i artemisininës, edhe këtë herë Kina po jep përsëri kontribut për botën. Kina ka zhvilluar veprime urgjente humanitare në përmasa të mëdha dhe deri tani ka ofruar qindra miliardë njësi materialesh kundër epidemisë për 153 vende e 15 organizata ndërkombëtare dhe 2.2 miliardë doza vaksinash për më shumë se 120 vende e organizata ndërkombëtare, duke dhënë kontribut në kapërcimin nga njerëzimi të kësaj epidemie.
Epidemia nuk duhet të bëhet pengesë për zhvillimin e njerëzimit. Nga artemisinina deri te vaksina kineze, është shkruar historia e përballimit së bashku të krizës nga Kina dhe bota. Kina e di se vendet e ndryshme janë në një “anije të madhe” të fateve të përbashkëta. Përballë krizës së shëndetësisë globale, vetëm nëse krijohet bashkësia e shëndetësisë e njerëzimit mund të fitohet në luftën kundër epidemisë.





















