Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, pasi ka njoftuar se garon për presidente të Shteteve të Bashkuara, në zgjedhjet e vitit 2016, ka theksuar edhe rëndësinë e familjes në shoqërinë amerikane.
“Kur familjet janë të forta, Amerika është e fortë”, tha Hillary Clinton, mbrëmë vonë në një video në Internet.
Ajo, mëtutje ka theksuar se “amerikanët kanë luftuar për tu kthyer nga kohët e ashpra ekonomike, por baza është ende më e favorshme për ata që janë lartë” dhe ka shtuar se “amerikanit të zakonshëm i duhet kampioni, dhe unë dëshiroj të jem ai kampion”.
Gjatë kësaj paraqitjeje, Hillary Clinton thotë se tash është në rrugë “për ta merituar votën e juaj, pasi kjo është koha juaj, dhe shpresoj se do të më bashkoheni në këtë rrugë”.
Ajo ishte sekretare e jashtme gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Barack Obama. Bashkëshorti i saj, Bill Clinton, ishte president amerikan në dy mandate.
Zonjën Clinton tash e pret gara për nominim presidencial të Partisë Demokratike./rel/