Mbas luftës, ekstremistët e huej radikalizuen rininë e Kosovës, thuhet në nji emision të gazetares Audie Cornish, në Radion Publike Amerikane – NPR, kushtue ekstremizmit fetar në Kosovë.
Emisioni nis me rrëfimin e gazetarit të kësaj radioje, Ari Shapiro që sapo ishte kthye nga Kosova.
Përveç dy gazetarëve amerikanë, për radion kanë folë edhe zv/ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selim, ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkueme, Akan Ismaili, përfaqësuesi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu etj.
Mbas nja dy vjetësh në Kosovë, të huejt që punojnë atje e kuptojnë se nuk ka kurrfarë islamizimi në vend, – citohet ambasadori Islami, derisa gazetari Shapiro thotë se javën e kalueme, kur nisi Ramazani, restorantet e Prishtinës ishin plot me njerëz tanë ditën.
Ma tej, Shapiro citon bisedën me Ahmet Sadriun, simbas të cilit, ekstremizmin fetar në Kosovë e sollën organizatat islamike të Arabisë Saudite, edhe pse Sadri thotë se BIK nuk i ka përkrahë. Ai mendon se fakti që të ritë kosovarë nuk munden me udhëtue pa viza në Europë, i ka ba prè e lehtë e indoktrinimit me ideologjitë esktremiste radikale.
Tu’ iu kthye rrëfimit për udhëtimin në Kosovë, Shapiro thotë se pamja e Gjilanit ishte krejt e ndryshme me Prishtinën. Në Gjilan burrat kishin mjekra të gjata dhe femnat ishin të mbulueme. Ai përshkruen edhe takimin me familjen e xhihadistit që tue folë shqip, kërcënoi Ballkanin në nji video të ISIS para pak kohësh. Por Shapiro thotë se edhe familjet e tjera që kishin njerëz në ISIS refuzuen me folë.
Në fund, emisioni mbyllet me bisedën mes gazetarit Ari Shapiro dhe zv/ministrit të Jashtëm Petrit Selimi, simbas të cilit, tranzicioni i ashpër në Kosovë ua ban jetën e vështirë njerëzve.
S’asht e lehtë me u ba hero prej hiçit, – thotë Selimi, derisa vazhdon:
Na nuk jemi pjesë e OKB. Nuk jemi pjesë e Interpolit. Nuk jemi në UNESCO. Nuk bajmë pjesë në FIFA. Nuk jemi pjesë as e Festivalit Europian të Kangës, Eurovision. Këta janë platformat e kulturës publike në të cilët njerëzit ndjehen krenarë për shoqninë dhe vendin e tyne, – përfundon zv/ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi.