Kryeministri Albin Kurti ka thënë se qeveria është përherë e gatshme për dialog parimor, të balancuar e konstruktiv.
Ai u deklarua kështu në takimin që e pati me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, gjatë punimeve të Symi Symposium që po mbahet në Greqi.
Në njoftimin e qeverisë thuhet se Kurti e ritheksoi se nga ky dialog duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme e të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.
“Mbarëvajtja e procesit të deritanishëm të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces, ishin tema kryesore të takimit”.
“Gjatë ditës së sotme, Kryeministri Kurti diskutoi në panelin me temë “Implikimet e luftës në Ukrainë: Momentum i ri për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor? Mundësitë dhe skenarët””, thuhet në njoftim, transmeton KlanKosova.tv.



















