Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka autorizuar përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina kundër Rusisë, kanë thënë zyrtarët amerikanë.
“The New York Times” ka raportuar të dielën se Ukraina synon t’i kryejë sulmet e para me sistemin ajror ATACMS në ditët në vijim, me qëllim për t’i mbrojtur forcat e saj në rajonin Kursk të Rusisë.
Vendimi i Bidenit, kur i kanë mbetur pak muaj deri në largimin nga Shtëpia e Bardhë, po cilësohet ndryshim i madh në politikën amerikane.
Zyrtarë amerikanë kanë thënë se lejimi i ushtrisë ukrainase për të përdorur armë të SHBA-së me rreze të gjatë veprimi është kundërpërgjigje ndaj dërgimit të trupave verikoreane në Rusi.
Nuk dihet nëse Trumpi do ta ndryshojë vendimin e Bidenit kur ta marrë detyrën, pasi ai e ka kritikuar prej kohësh shkallën e ndihmës financiare dhe ushtarake të SHBA-së për Ukrainën. Trump, që i fitoi bindshëm zgjedhjet e fundit presidenciale dhe në janar do ta marrë detyrën, është zotuar ta përfundojë shpejt luftën, pa shpjeguar se si.
Megjithatë, disa republikanë të Kongresit i kanë kërkuar Bidenit që t’ia lehtësojë Ukrainës rregullat për përdorimin e armëve të ofruara nga SHBA-ja.
Rusia ka paralajmëruar se do ta shihte lirimin e kufizimeve të përdorimit e armëve amerikane nga Ukraina si përshkallëzim të madh.
ATACMS është sistem i raketave taktike amerikane, i projektuar në vitin 1986. Ai mund të fluturojë deri në 300 kilometra distancë dhe të shkaktojë shkatërrim masiv.
ATACMS është sistem i raketave taktike amerikane, i projektuar në vitin 1986. Ai mund të fluturojë deri në 300 kilometra distancë dhe të shkaktojë shkatërrim masiv.