Të enjten në Bruksel do të zhvillohet takimi i nivelit të lartë në dialogun Kosovë-Serbi.
Takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të ndërmjetësohet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, përkrahur nga i Dërguari i Posaçëm, Miroslav Lajçak, njofton Zyra për Media e BE-së.
“Takimi do të nis në 10:30 dhe në fokus do të jetë rruga para në dialog dhe arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim”, thuhet në njoftim, përcjell KlanKosova.tv.
“Po ashtu do të adresohen çështjet aktuale me synim të uljes së tensioneve. Borrell gjithashtu do të mbajë takime të ndara me secilin nga liderët”.
Pas takimeve Borrell do të mbajë konferencë për media.