Çitaku thotë se Kurti ka qasje të gabuar ndaj aleatëve

E publikuar: 19/09/2024 14:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qasje të gabuar ndaj aleatëve.

Çitaku kujtoi se Serbia dje e nënshkroi marrëveshjen me Amerikën për investime strategjike në fushën e energjetikës, pas marrëveshjes me Gjermaninë për litiumin dhe pas asaj me Francën për avionët e avancuar ushtarakë, kurse sipas saj, Kosova është e izoluar, e sanksionuar dhe e përjashtuar.

“Kur miqtë tanë, ata pa ndihmën e të cilëve nuk do të ishim as të lirë e as të pavarur, që të gjithë, na thonë që jemi në rrugë të gabuar, është koha me e pa veten në pasqyre. Nuk na ka faj kërkush. Biden i keq, Trump i keq, Mogerini e keqe, Borelli i keq, Greneli i keq, Lajcak i keq, Merkel e keqe, Scholz i keq, Macroni i keq, Rama i keq. Krejt na kanë faj. A po Albin? Vetëm ti e ke mirë. Ti edhe kush? Kush janë aleatët e tu Albin? Se pa aleatë nuk mundet as Amerika”, ka shkruar Çitaku Facebook.

Sipas saj, Kosova është më e madhe dhe më e rëndësishme sesa egoja e Kurtit.