​Çitaku: Për Kurtin, bashkëpunimi është nënshtrim

E publikuar: 26/07/2025 21:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku deklaroi se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e sheh bashkëpunimin si nënshtrim.

Kështu u shpreh ajo para fillimit të seancës konstituive, më pak se dy orë para se të hyjë në fuqi masa e përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

“Sot fatkeqësisht i tërë vendi, institucionet e Republikës së Kosovës janë peng, janë peng i kokëfortësisë së Albin Kurtit. Është në dorën e tij që të zhbllokojë këtë situatë”, deklaroi ajo.

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së u shpreh se do të dëshironin që sonte të zhbllokohet ngërçi politik.

“Ne do të dëshironim, kemi ofruar kompromiset tona por fatkeqësisht kemi një kryetar partie, zotëri Albin Kurti, kryetar i partisë së parë i cili e refuzon idenë e bashkëpunimit dhe për të cilin bashkëpunimi është nënshtrim. E ftojmë që të reflektojë, Kosova dhe e ardhmja e saj është shumë më e rëndësishme se karriera e Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut”, shtoi ajo./KosovaPress