Çitaku: Pas ngritjes së aktakuzës për Nagip Krasniqin, PDK kërkon hetim për mafinë energjetike

E publikuar: 20/08/2024 13:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se Qeveria Kurti ka më shumë aktakuza ndaj zyrtarëve të saj, sesa punë të cilat mund të numërohen në të mirë të qytetarëve.

Ajo, pas ngritjes së aktakuzës ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka kërkuar llogaridhënie nga të gjithë akterët e përfshirë në këtë skandal.

Çitaku, në një konferencë për media, tha se PDK i jep mbështetjen e plotë organeve të drejtësisë, të cilat kanë marrë përsipër zbulimin e keqpërdorimeve milionëshe në këto tri vitet e fundit në fushën e energjisë.

Ajo ka numëruar edhe disa nga aktakuzat e tjera të ngritura – atë kundër ambasadorit Martin Berishaj për “një skandal të pastër rajonal të korrupsionit masiv” dhe së fundi, aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallës.

“Dje, Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur edhe zyrtarisht aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Krasniqi, tashmë mbi dyshimin e bazuar dhe hetuar mirë, akuzohet se nga data 15 tetor 2021, 10 ditë pasi u emërua kryeshef nga Lëvizja Vetëvendosje, e deri me datë 19 prill 2023, në  cilësinë e personit zyrtar, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, ka kryer hiç më pak se tri vepra penale, keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit”.

“Rasti konkret, për të cilin ai ishte arrestuar në prill të vitit 2023, përfshin dy kontrata njëburimore në vlerë prej 3.5 milionë euro. Megjithatë, kjo nuk është e tëra. Arrestimi i Krasniqit është maja e një ajsbergu, i cili rrënjët i ka thellë eksponentë të rëndësishëm të këtij pushtetit, i cili sot më shumë po i ngjason një ‘Mafie Energjetike’ “.

“Mos të harrojmë, në periudhën kur kjo Qeveri ia shtrenjtoi energjinë elektrike për 100 % qytetarëve tanë, janë dy miqtë e mirë të Kryeminsitrit Kurti, të cilët erdhën në pozita udhëheqëse përmes favorizimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, Nagip Krasniqi dhe ambasadori Martin Berishaj, si të dyshuarit kryesorë në një skandal të pastër rajonal të korrupsionit masiv, me tregtim të energjisë”.

“Megjithatë, ndaj këtij pushteti, i cili ka pasur më shumë aktakuza ndaj zyrtarëve të tij sesa punë të cilat mund të numërohen në të mirë të qytetarëve, keqpërdorimet nuk përfundojnë këtu”.

“Gjykata Themelore në Prishtinë dje ka konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministres së vendit, Donika Gërvallës. Tani, na thoni, si mund ta quajmë ndryshe një pushtet, përveç se korruptiv, për të cilin nuk kalon asnjë muaj pa një skandal të madh të keqëpërdorimit të detyrës zyrtare”.

“Edhe një herë, mos harroni, të gjthë këta njerëz, edhe shumë të tjerë të cilët kanë defiluar gjatë këtyre viteve nëpër lajmet e skandaleve, asnjë nuk ka dhënë llogari. Të gjithë zyrtarët e lartë, ministra e ambasadorë, nën vëzhgimin e të cilëve kanë ndodhur skandalet, nuk kanë dhënë dorëheqje”.

“Prandaj, sot, Partia Demokratike e Kosovës kërkon llogaridhënie dhe përgjegjësi të plotë, nga të gjithë akterët e përfshirë jo vetëm në këto skandale, por në të gjitha të cilat ende kërkojnë përgjigje: energjia, rezervat shtetërore, mos-deklarimet e pasurisë, skandalet diplomatike. PDK inkurajon këto organe që të vazhdojnë me përkushtim dhe profesionalizëm të hetojnë të gjitha rastet e tjera”, ka thënë ajo./EO