Cilësi e dobët apo paragjykim i prodhimeve vendore? (Foto)

E publikuar: 29/10/2015 14:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pavarësisht kushteve të rënda të sektorit të prodhimit, në tregun kosovar, ekzistojnë lloje të ndryshme të prodhimeve vendore, duke filluar nga produktet ushqimore, ato të tekstilit, e deri te prodhimet metalike.

Sipas organeve kompetente disa nga prodhimet vendore janë të çertifikuara sipas standardeve evropiane dhe cilësore, por që konsumatorët dyshojnë në cilësinë e prodhimeve “Made in Kosova”.

Një qytetare nga Prishtina, Besa Gashi, pohon se disa prodhime janë cilësore, sidomos ato të industrisë se qumështit. Ajo megjithatë dyshon në produktet vendore, pasi paragjykimet janë nxitur nga cilësia jo e duhur.

“Nuk mund të them se të gjitha produktet nuk janë cilësore. Ka të mira. Unë zakonisht të gjitha produktet e qumështit i blej prodhime vendore”, thotë Besa.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit ndërkaq pohojnë se shumica e prodhimeve vendore janë cilësore dhe të çertifikuara sipas standardeve evropiane.

bujqesii_w640_r1_s

Lumnije Ajdini drejtoreshë në Aleancën Kosovare të Biznesit, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka thënë se produktet që prodhohen në Kosovë paragjykohen.

Ky asociacion ekonomik, thotë ajo, disa herë ka realizuar fushata të ndryshme për vetëdijesimin e qytetarëve për cilësinë e mallrave të prodhuara në Kosovë.

“Në Kosovë ende qytetarët apo konsumatorët paragjykojnë për produktet që nuk janë cilësore, mirëpo shumica e prodhuesve të Kosovës, ose mbi 60 për qind janë pajisur më standarde të cilësisë”.

Tregu i Kosovës nuk mbulohet qind për qind me produkte kosovare, por ka prodhime dhe shporta e konsumatorit mund të mbushet me produkte vendore”

Pavarësisht paragjykimeve të konsumatorëve dhe problemeve me të cilat përballen prodhuesit vendor, disa nga mallrat “Made in Kosova”, thotë ajo, tashmë kanë depërtuar në tregun evropian, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Madje disa nga prodhuesit kanë marrë edhe çmime ndërkombëtare për cilësi.

Edhe Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se prodhimet vendore i plotësojnë gati të gjitha kriteret e Bashkimit Evropian sa i përket cilësisë së tyre.

Ai ndërkaq pohon se produktet e prodhuara në Kosovë janë të sigurta për konsum.

“Mund të them se të gjitha produktet ushqimore, qoftë ato të importuara, por edhe produktet që prodhohen në Kosovë, janë të kontrolluara dhe monitoruara nga ana e stafit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë”.

Ndryshe, në Kosovë ekziston edhe Agjencia Kosovare për Standardizim në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Një ndër qëllimet e standardizimit është rritja e nivelit të sigurisë së produkteve dhe proceseve, në funksion të kërkesave për ruajtjen dhe përmirësimin e cilësisë së jetës, sigurisë së shëndetit, mbrojtjes së mjedisit dhe konsumatorit.

Në një përgjigjeje përmes postës elektronike, Bujar Istogu, zyrtar i lartë për standarde në Agjencinë për standardizim, ka thënë se shumë prodhues pajisen me standarde, por për zbatimin e tyre, Agjencia nuk ka kompetencë, transmeton rel.

Sidoqoftë, prodhuesit duhet t’i përmbahen kritereve te shënuara në standard, e të cilat njihen edhe si “kërkesat themelore”, që janë të ndryshme varësisht nga produkti.