Stadiumet në Kosovë nuk është se mbushen me tifozëri, kur skuadrat luajnë ndeshje kampionale apo ato të Kupës.
Numri i tyre varion, varësisht prej peshës së një ballafaqimi.
Sipas statistikave të siguruara nga gazetari i redaksisë së sportit në Klan Kosova, Bleron Ajeti, njëherit zyrtar i Vlerës së Marketit i një prej brendeve më të njohura futbollistike, Transfermarkt.de, ekipi me mesatarën më të lartë të shikuesve, karshi kapaciteteve të stadiumeve, është kampioni në fuqi, FC Ballkani.
“Xhebrailat” mesatarisht e kanë 42.1% të mbushur stadiumin me 2 mijë ulëse, apo 843 tifozë në ndeshje.
Megjithatë, krahasuar me stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, janë larg, pasi prishtinasit mesatarisht për ndeshje kanë 1564 tifozë, raporton Klankosova.tv.
Por nga kapaciteti i arenës ku Prishtina i luan ndeshjet vendas, e që rezulton me 13.429 ulëse, atëherë përqindja e mesatares është më poshtë, me 11.7%.
Nga totali i spektatorëve në stadium, pas “Plisave” renditen “Legjendat” e Llapit, me mesatare 957 tifozë për ndeshje, kurse suharekasit në total janë të tretët.
Pastaj vjen tifozëria e Ferizajit me 686 shikues për ndeshje, kurse Top 5-shja mbyllet me “Hithat” e Klinës, pasi Dukagjini mesatarisht ka 571 tifozë në ndeshje njofton Klankosova.tv.
Dikur prej tifozërive që ishin me numër më të madh jo vetëm në Kosovë, “Intelektualët” dhe “Skifterat”, lënë për të dëshiruar sa i përket prezencës në stadiumin ndihmës të qytetit. Gjilani i fundit në renditje ka mesatarisht 236 shikues për ndeshje, kurse Drita diçka më mirë, me mesatare prej 417 tifozësh.
Të gjitha të dhënat e përmendura, rrjedhin nga raportet zyrtare të secilës ndeshje, në protokollin e plotësuar prej zyrtarëve përgjegjës të Federatës së Futbollit të Kosovës.