I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka treguar pritjet e tij për takimin e 18 gushtit mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili organizohet me ftesë të Shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Esobar ka thënë se pret që ky muaj të krijojë mundësi për të përparuar në më shumë gjera, jo vetëm në çështjen e targave.
“Në të njëjtën kohe në shpresojmë për diskutime më të gjera se si të dyja vendet mund të ecin përpara për të krijuar mundësi për marrëdhënie më të mira, për integrim në Evropë. Mendoj që ky muaj do të krijojë mundësi për të përparuar në më shumë gjera jo vetëm në çështjen e targave”, tha Escobar gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë.
Esobar ka treguar edhe se cila marrëveshje është afër nënshkrimit.
“Ne besojmë se ka një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave. Besoj se jemi afër zbatimit e udhërrëfyesit për energjinë në veri, jemi afër nënshkrimit të marrëveshjes për të zhdukurit dhe shpresoj që palët do ta nënshkruajnë këtë marrëveshje shumë shpejt. Dhe sikurse sekretari Blinken u tha presidentes (Vjosa Osmani) dhe kryeministrit të Kosovës (Albin Kurti) kur ishin në Shtetet e Bashkuara, ne duhet të nisim diskutimin për Asociacionin”, tha Escobar.