Cila është politika dhe cila është vlera

E publikuar: 08/03/2016 17:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është detyrë e të gjithë personaliteteve që merren me politikën e ditës, ta bëjnë politikën me mjetet e kohës. Mungesa e vizionit për të tashmen dhe të ardhmen e ka bërë politikën ta kthej në debat për të kaluarën, e jo duke u thirrur në kohën e luftës, për ta vënë atë nën pikëpyetje.

Azem Syla – Ish-komandant i Përgjithshëm i UÇK-së

E konsideroj vlerë politikën. Por nuk mund ta konsideroj politikë atë që përpiqet të shkatërrojë vlerat kombëtare. E tentativën për të përgojuar Luftën Çlirimtare të Kosovës, e konsideroj veprimin më qëllimkeq për interesat e të ardhmes së Kosovës, vijimësi të propagandës keqdashëse të UDB-së.
Unë vlera kombëtare konsideroj:
– Shpirtin liridashës të gjithë popullit të Kosovës, i cili u mobilizuar me shpirt sakrifice për të luftuar me të gjitha mjetet kundër pushtuesit e për të arritur lirinë e merituar;
– Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila u bë bartëse e një lufte vitale, për të çliruar vendin e për t’i dhënë dinjitet atdheut e kombit, u bë çelësi i portës së lirisë, duke u bërë bashkëluftëtare e forcës ushtarake më të fuqishme e më moderne të kohës, NATO-s, e cila me luftën e saj dhe bashkëveprimin me UÇK-në ia rriti vlerat edhe kësaj të fundit;
– Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët me bindje të palëkundur në fitoren mbi armikun, u rreshtuan për luftë dhe nuk u ndalën përballë forcës ushtarake, policore, paramilitare e civilëve të armatosur dhe duke mos kursyer as jetën arritën të japin kontributin më të lartë, duke u rreshtuar sot një pjesë prej tyre në piedestalin kombëtar si dëshmorë, disa që falën pjesë të trupit si invalidë e të tjerët si luftëtarë të lavdishëm, të gatshëm për të marrë edhe në vijim përgjegjësi për ta siguruar, zhvilluar e modernizuar Kosovën tonë të lirë e sovrane në familjen e kombeve të lirë të botës;
– Unitetin kombëtar për të marrë përgjegjësi për një të ardhme të sigurt;
– Dashurinë ndaj atdheut e kombit, duke qenë krenar për qenien shqiptar, që është pamja më e mirë për një të ardhme të sigurt etj.
Nisur nga këto vlera, ndihem i shqetësuar nga disa përplasje politike të ditës, duke tentuar të hidhet baltë mbi luftën, luftëtarët e historinë e asaj kohe të lavdishme të Luftës Çlirimtare. E kam të qartë, se një dukuri e përbaltjes së asaj kohe të shenjtë është dukur në vijimësi, e deklaruar prej atyre që nuk ndihen mirë në Kosovën e lirë. Por nuk arrij të kuptoj tentativat për të hedhur hije mbi atë kohë edhe prej protagonistëve të asaj kohe, që me luftën e tyre janë përpjekur të investojnë vlera për këtë liri që gëzojmë sot.
Duke kuptuar se çdo rikthim në kohën e Luftës Çlirimtare duhet të jetë rikthim tek lavdia, deklarohem kundër çdo debati që e përgojon atë periudhë.
Është detyrë e të gjithë personaliteteve që merren me politikën e ditës, ta bëjnë politikën me mjetet e kohës. Mungesa e vizionit për të tashmen dhe të ardhmen e ka bërë politikën ta kthej në debat për të kaluarën, e jo duke u thirrur në kohën e luftës, për ta vënë atë nën pikëpyetje.

Kush ka dëshirë të marrë pak prej lavdisë së familjes Jashari, ta ndjek shembullin e tyre

Lufta Çlirimtare e Kosovës i përket historisë. Është detyrë e saj, që duke u mbështetur në dokumentet e kohës, ta vlerësojë dhe të vejë në evidencë sukseset dhe dështimet, të vlerësojë figurat që vepruan e kontribuuan në atë kohë dhe të bëjnë analizë të hollësishme të vlerave të tyre.
Sot qytetarët kanë nevojë për t’u hapur horizont për të ardhmen, duke i thirrur për të nderuar e respektuar luftën e luftëtarët, duke qenë krenar për atë çfarë janë dhe për historinë nëpër të cilën kanë kaluar.
Na janë bërë mjaft akuza nga Serbia e strukturat e UDB-së, duke na vënë mjaft emërtesa që nuk i kemi merituar, por që të arrihet deri në konflikte midis luftëtarëve, që duket sikur janë rikthyer akuzat e asaj kohe, më krijon përshtypjen se prej nëntokës ato struktura serbe të UDB-së po vazhdojnë ta kryejnë misionin e tyre e tashmë shumë më ashpër, duke i vënë luftëtarët e djeshëm kundër njëri tjetrit.
Po krijohet përshtypja se ne nën pushtim, në atë kohë të lavdishme të luftës, kur është derdhur gjak në çdo pëllëmbë të tokës së Kosovës, paskemi luftuar kundër njëri tjetrit, paskemi menduar se çfarë do të bëhemi pas lufte, kur nuk e dinim nëse do të ishim gjallë pas betejës së radhës.
Prej këtej, për të gjithë ata që merren me këto debate, qofshin luftëtarë, gazetarë, analistë, politikanë etj, më lind një pyetje: Kush ka luftuar me 60 mijë trupat ushtarake, 12 mijë trupat policore, 6 mijë trupat paramilitare e kriminale, 63 mijë civilëve serb të armatosur, të cilët i kishte formatizuar në atë periudhë lufte Serbia në Kosovë?
Unë e di se përballë tyre ishin burrat dhe gratë e Kosovës të rreshtuar në radhët e UÇK-së. E di se ata luftëtarë më luftën e tyre i dhanë lavdinë dhe lirinë këtij vendi e këtij populli që lëngonte nën pushtim. E di se ata luftëtarë kishin përkrahjen, mbështetjen, ndihmën dhe dashurinë e gjithë popullit. E di se në luftë janë bërë edhe gabime, por që historia do t’i analizojë dhe do të nxjerrë përfundimet përkatëse. Por që të bëhen akuza të shëmtuara, për interesat e politikës së ditës, këtë nuk e kuptoj dhe nuk kam për ta kuptuar kurrë, sepse dëshmojnë nivel të ultë kombëtar dhe politik.
Njëkohësisht, duhet të mbajmë në vëmendje se Komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari janë shenjtëri kombëtare. Askush nuk ka të drejtë të thirret si zëdhënës i kësaj familjeje, kur jam i sigurt se askush nuk është i autorizuar prej kësaj familjeje për këtë rol. Kjo familje na rrit vlerat kombëtare, është krenaria dhe kujtesa jonë heroike, ashtu si edhe familja Haradinaj, familja Pajaziti, familja Lladrovci, familja Krasniqi, familja Bislimi, e e shumë e shumë familje të tjera, që kanë bërë sakrifica të mëdha për ditët që gëzojmë sot. Familja Jashari është nyja e unitetit kombëtar. Ajo nuk ka dhe nuk kërkon armiq ndër shqiptarët. Kjo familje e ka vulosur historinë e saj me luftën e pashembullt me pushtuesin. Për shqiptarët ajo është pragu ku mund të vendosim kokën e të marrim energji për të ardhmen. Asnjë shqiptar nuk është armik për këtë familje. Gëzon nderimin dhe respektin e të gjithë shqiptarëve dhe i nderon e respekton të gjithë shqiptarët. Kështu ishte dje në luftë e kështu do të jetë përjetësisht. Kush mendon e shprehet ndryshe nuk i bën nder vetes, nuk i bën nder atdheut e kombit e nuk ka nderim as për këtë familje.
Kush ka dëshirë të marrë pak prej lavdisë së familjes Jashari e familjeve të tjera, si dhe prej veprës së dëshmorëve, le të evidencojë shembullin e tyre dhe të bëjë mirë punët që ka marrë përsipër të bëjë për interesin e atdheut, popullit e kombit. Luftëtarët e UÇK-së i këshilloj të mbeten luftëtar dhe qytetarë të nderuar të Kosovës e gjithë shqiptarizmit, pavarësisht janë qytetarë të thjeshtë, politikanë a funksionarë shtetëror.