Çifti serb, Vojisllav e Darinka Joviq, nuk i kanë dëgjuar paralajmërimet e bashkëkombësve se nëse e realizojnë synimin e tyre rrezikojnë jetën. Pasi nuk u ka ndodhur as edhe e liga më e vogël, nga bashkëfshatarët e dikurshëm serbë ata po cilësohen “tradhtarë”, për arsyen e vetme – sepse po jetojnë në shtëpinë e tyre, në mesin e fqinjëve shqiptarë.
Në të vërtetë, Vojisllavi dhe Darinka janë të vetmit serbë që janë kthyer në Frashër, fshat që dikur ishte me popullatë të përzier. 45 familje të këtij lokaliteti ishin serbe.
Çifti Joviq thotë se nuk e ka fare problem të bashkëjetojë me shqiptarët. Madje, Vojisllavi dhe Darinka tregojnë se as edhe një herë të vetme nuk e kanë pasur asnjë problem me shqiptarët. Çifti, i cili është rreth të 70-ve, bën jetë të qetë në fshatin e tyre.
Shtëpia e Joviqëve është e rrethuar me shtëpi të tjera të serbëve, të cilat janë ndërtuar me mjetet e Qeverisë së Kosovës, pas ngjarjeve të marsit të vitit 2004. Thonë se janë të sigurt dhe se nuk frikësohen për asnjë moment për sigurinë e tyre, për dallim nga fqinjët e tyre serbë, të cilët jetojnë në veri, e të cilët thonë se nuk mund të kthehen sepse “nuk kemi siguri”.
Njëri prej tyre, Millorad Radivojeviq, i cili jeton me familjen e tij në kampin e refugjatëve “Mali Zveçan” në Zveçan dhe i cili gjithnjë prezantohet si përfaqësues i serbëve të Frashërit, thotë se deri në vitin 2004 ka jetuar me familjen e tij në këtë, të cilin ai e quan Svinjar, por prej atëherë kishte ikur bashkë edhe me familjet e tjera serbe të fshatit, dikush në Mitrovicë, kush në Zveçan e kush në Serbi. /Zëri/



















