“Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas sulmeve ‘terroriste’ në Kumanovë, do të vazhdojnë me politikën e tyre të mbështetjes së pakushtëzuar për shqiptarët dhe nëse BE do të vazhdojë të hesht mbi rigjallërimin e projektit të ‘Shqipërisë së Madhe’, kjo situatë do të çojë në formimin e Aleancës Ortodokse të Serbisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe ndoshta edhe në Luftën e Tretë Ballkanike”, shkruajnë dy media kontroverse serbe, “Kurir” dhe “Informer”.
Sipas tyre, ky është “konkluzioni i raportit më të fundit të CIA-së për situatën në rajon”. Gazetat nacionaliste theksojnë se janë shërbimet sekrete ato që po e paralajmërojnë administratën Obama se mbështetja e mëtejshme për shqiptarët mund t’i shtyjë vendet ortodokse të Ballkanit drejt krahëve të Rusisë.
Analistët e CIA-së propozojnë që SHBA të ketë një përqasje më të balancuar në Ballkan, pasi përndryshe rrezikohet formimi i një Unioni Ortodoks.
Askush nga qeveria serbe nuk ka pranuar të komentojë mbi këto informacione. Në krahun tjetër, ekspertët vlerësojnë se skenari i Aleancës Ortodokse është një variant i mundshëm, por kjo mund të jetë një tjetër gjemb në sytë e Perëndimit. Analisti Gjorgje Vukadinoviq thotë se bashkimi është një reagim logjik i tentativës për të krijuar “Shqipërinë e Madhe”.
“Nëse aleanca krijohet, nuk besoj se SHBA-t[ do rrinë me qetësi, sepse është e qartë që shqiptarët janë të preferuarit e tyre. Serbia ka qenë pjesë e një aleance të tillë përpara Luftës së Parë Botërore kur u ndesh me Turqinë”, thotë Vukadinoviq.
Cedomir Antic, i Klubit Progresiv, thekson se ideja e bashkimit të Ballkanit ekziston prej më shumë se një dekade.
“Nëse ideja nuk do të zbatohet, do të thotë se SHBA e kanë parandaluar atë. Megjithatë, një aleancë e tillë duhet të ekzistojë, pasi ajo do të mbijetojë edhe nëse BE dështon. Jam i befasuar që presidenti Tomisllav Nikolliq nuk e nisi atë kur u ftua të merrte pjesë në festimet e Betejës së Kumanovës” thotë ai.
Telegrafi ju përkujton se këto dy mediume serbe njihen për gjuhën e urrejtjes dhe insinuata. Madje, Informer tregoi amatorizëm total duke thënë se posedon fotot lakuriq të presidentes kroate, gjoja nga burimet sekrete, ndërsa në to ishte një yll i pornografisë. /Lapsi/
“CIA paralajmëron për një aleancë ortodokse kundër shqiptarëve”!?
NGA KATEGORIA