Këshilltari Special i Departamentit Amerikan të Shtetit Derek Chollet ka njoftuar në Twitter se ka komunikuar në telefon me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Chollet ka treguar se Vuçiqit i ka kërkuar që t’i qetësojë serbët në Veri dhe t’i kthehet dialogut.
“Dje e inkurajova Presidentin Vuçiq që t’i kërkojë serbëve të Kosovës të jenë të qetë, të marrë hapa që ndihmojnë zbutjen e krizës në pjesën veriore të Kosovës dhe të kthehet në rrugën e normalizimit dhe angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE”, ka shkruar Chollet.
Ndryshe, me Vuçiq ka komunikuar edhe Zëvendësi i Jake Sullivan, Jon Finer, nga Shtëpia e Bardhë, i cili i ka shprehur shqetësimin e SHBA-së për situatën e tensionuar në veri të Republikës së Kosovës. Finer ka bërë thirrje që të dy palët të marrin hapa për deeskalimin e situatës.
Gjithashtu, njeriu i Joe Biden i ka kërkuar Qeverisë së Serbisë që të tërheqë forcat ushtarake të stacionuara në afërsi të kufirit dhe të ulë gjendjen e gatishmërisë dhe gjithashtu t’iu bëjë thirrje protestuesve të qëndrojnë paqësorë në veri të Kosovës.
“Z. Finer përsëriti se Shtetet e Bashkuara presin që të dyja palët të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e normalizimit të arritur në Bruksel dhe Ohër në fillim të këtij viti”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Encouraged Serbian President Vucic @predsednikrs yesterday to urge calm among Kosovan Serbs, take steps to help defuse the crisis in the north of Kosovo, and return to the path of normalization and constructive engagement in the EU-facilitated Dialogue.
— Derek Chollet (@CounselorDOS) June 3, 2023