Ch. League, u hodh shorti në Monaco

E publikuar: 27/08/2015 19:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Merr formë edicioni 2015-2016 i Uefa Champions League. Në Montecarlo u hodh shorti i fazës së grupeve ku nuk munguan përballjet e mëdha, kjo edhe për shkak se UEFA këtë vit ka ndryshuar formatin dhe në vazon e parë bënin pjesë 8 skuadrat kampione të 8 shteteve që kanë koeficentin më të lartë në klasifikimin e përgjithshëm të UEFA-s për klube.

Real Madrid-Paris Saint Germain, Barcelona-Roma, Juventus-Manchester City dhe Bayern Munich-Arsenal do të jenë këto disa nga duelet e mëdha në këtë fazë të Championsit. Grup për drithërima për nënkampionët e kompeticionit, Juventusin e Massimiliano Allegrit. Bardhezinjtë u shortuan në grupin D që mund të quhet ndryshe edhe si grupi i ferrit së bashku me Manchester City-in, Sevillan dhe gjermanët e Borussia Moenchgladbach.

Një short i vështirë në letër edhe për Realin e Madridit. Duke qenë se pozicionoheshin në vazon e dytë, Los Blancos duhet merrnin parasysh vështirësitë që mund t’u paraqeste shorti dhe goglat e Montecarlos i vendosën 10-herë kampionët e Europës në grupin A, përballë skuadrave të tilla si Paris Saint Germain, Shakthar Donetsk dhe Malmoe.

Short me fat për Manchester United që rikthehet në Champions pas 1 viti mungesë. Djajtë e Kuq do të bëjnë pjesë në grupin B, së bashku me holandezët e PSV Eindhoven, rusët e Cska-së së Moskës dhe gjermanët e Wolfsburgut.

Në grupin C janë shortuar Benfica, Atletico e Madridit, Galatasaray dhe “hirushja” e këtij edicioni të Championsit skuadra kazake e Astanës që merr pjesë për herë të parë në këtë fazë.

Një grup mjaft interesant është edhe E-ja, me kampionët në fuqi të Barcelonës që do të masin forcat me 2 skuadra të vështira si Bayer Leverkusen e Roma, ndërsa grupi kompletohet me bjellorusët e Bate Borisov.

Aspak të thjeshtë nuk do ta ketë avancimin në fazën tjetër as një prej pretendetëve potencialë për suksesin final sic është Bayern Munich. Të besuarit Pep Guardiolës janë vendosur në grupin F, bashkë me Arsenalin, Olympiacosin dhe Dinamon e Zagrebit.

Short shumë i favorshëm për Chelsea-in e Jose Mourinhos. Kampionët e Anglisë në grupin G do të sfidojnë ish skuadrën e Special One, Porton por edhe Dynamo e Kievit dhe Maccabin e Tel Avivit. Si për koicidencë Mourinho për të herë të fundit Dynamon e Kievit e ka patur përballë në vitin 2010, kur fitoi Championsin me Interin, rastësi apo jo kjo mbetet për t’u parë por e sigurtë është që trajneri portugez do të bëjë gjithcka për ta fituar edhe me Blutë e Londrës këtë kompeticion.

Grupi më i balancuar është ai H, me Zenitin e Shën Petersburgut, Valencian e Lyonin që kanë shanse të barabarta për të avancuar më tej, ndërsa kompletojnë gjithcka belgët e Gent. Faza e grupeve të Uefa Champions League do të marrë start të Martën e 15 Shtatorit.

Shorti i fazës së grupeve:

Grupi “A”: Paris Saint Germain, Real Madrid, Shakhtar Donetsk, Malmoe.

Grupi “B”: PSV Eindhoven, Manchester United, CSKA Moscow, Wolfsburg.

Grupi “C”: Benfica, Atletico Madrid, Galatasaray, Astana.

Grupi “D”: Juventus, Manchester City, Sevilla, B. M’ gladbach.

Grupi “E”: Barcelona, Bayer Leverkusen, Roma, Bate Borisov.

Grupi “F”: Bayern Munich, Arsenal, Olympiacos, Dinamo Zagreb.

Grupi “G”: Chelsea, Porto, Dynamo Kiev, Maccabi Tel Aviv.

Grupi “H”: Zenit, Valencia, Lyon, Gent.