Ch. League, 5 ekipe kërkojnë biletën për 1/8-at

E publikuar: 08/12/2015 23:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Uefa Champions League do të njohë këtë të Mërkurë 5 skuadrat e fundit që do të avancojnë në fazën e 1/8-ave të këtij edicioni.

Janë plot 10 klube në garë për të siguruar 5 bileta, në një mbrëmje që pritet të dhurojë emocione të mëdha. Nga Londra në Kiev, fatet e Grupit G dhe atij më interesantit do të vendosen në këto dy kryeqytete. Në Stamford Bridge, Chelsea i Jose Mourinhos duhet të evitojë me cdo kusht humbjen në sfidën ndaj Portos ish skuadrës së Special One për t’u kualifikuar në raundin tjetër. Blutë e Londrës të cilët janë zhytur në një krizë të thellë në Premier League nëse duan ta përfundojnë grupin në vendin e parë duhet ta mposhtin Porton, por një humbje ndaj formacionit luzitan e kombinuar me fitoren e Dynamos së Kievit do ta nxirrte jashtë kompeticionit Chelsea-in. Ukrainasve nga ana e tyre do t’u mjaftonte një fitore ndaj Macabbit të Tel Avivit që nuk ka grumbulluar asnjë pikë deri tani në këtë grup për të qenë pjesë e fazës së 1/8-ave.

Dy sfida intriguese do të luhen edhe në grupin E. Roma e Rudi Garcias do të presë në Olimpico, Bate Borisov dhe me një sukses ndaj bjellorusëve do të avanconte në fazën tjetër, shumë më pak shanse për kualifikim ka Bayer Leverkusen që do të sfidojë Barcelonën e vendit të parë në BayArena. Ndërkohë mundësitë për kualifikim i ka edhe Bate që nëse mposht Romën mund të pozicionohet e dyta në këtë grup, nëse Aspirinat nuk fitojnë përballë Barcës. Në grupin F, me Bayernin që ka siguruar kualifikimin por edhe vendin e parë dhe që luan thjeshtë për statistika në Zagreb përballë Dinamos vendase, vëmendja do të jetë e gjitha në Karaiskakis ku do të vihen përballë njëra-tjetrës Olympiacosi dhe Arsenali.

Në Pire skuadra e Marco Silvës do të ketë mbështetjen e madhe të publikut të vendas dhe për më tepër për t’u kualifikuar i mjafton që të mos humbasë me dy gola diferencë ose me rezultatin 2-3 apo 3-4. Një biletë për në 1/8-at do të luhet edhe në grupin H. Belgët e Gent kanë nevojë për një sukses ndaj rusëve të Zenitit që kanë siguruar matematikisht edhe vendin e parë në grup për të lënë pas në renditje Valencian. Në Mestalla spanjollët pritet ta kenë thjeshtë një formalitet fitoren përballë Lyonit tashmë të skualifikuar por sytë e Valencias do të jenë të gjithë në Ghelamco Arena në takimin mes Gent dhe Zenit.