Autoritetet e Shteteve të Bashkuara i kanë arrestuar dy femra, të cilat janë të dyshuara për përfshirje në planin për sulm me bombë në Qytetin e Nju Jorkut.
Shefi i departamentit kundërterrorist i policisë së Qytetit të Nju Jorkut, John Miller, tha mbrëmë se arrestimet janë bërë pas një hetimi sekret, me ç’rast ishte përcaktuar se gratë, të identifikuara si shtetase amerikane, Noelle Velentzas, 28 vjeçare, dhe Asia Siddiqui, 31 vjeçare, ishin përpjekur që të prodhonin bombë.
Megjithatë, zoti Miller tha se publiku asnjëherë nuk ka qenë në rrezik nga ky komplot.
E përditshmja NeëYork Times ka raportuar se dy femrat kishin komunikuar me pjesëtarët e grupit terrorist të al-Kaidës në Gadishullin Arab, dhe i kanë shikuar faqet në Internet me materiale nga militantët e Shtetit Islamik.
Sipas gazetës, Asia Siddiqui, i kishte “disa rezervoarë të gazit propan dhe instruksione se si të bëhet shndërrimi i tyre në mjet eksplodues”./Rel/