Çfarë po ndodhë në Infrakos, shumë ndryshime, por kriza vazhdon

E publikuar: 10/06/2021 10:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Infrakos vazhdon të përballet më probleme të ndryshme. Problemet financiare dhe menaxheriale kanë çuar këtë ndërmarrje të rëndësishme në një situatë mbijetese.

Enis Berisha është rikthyer si kryesues i bordit të Infrakos, pas dy largimeve të mëparshme, njëherë nga Qeveria Kurti I, e më pas nga Qeveria Hoti. Poashtu, javë më parë është larguar nga pozita e kryeshefit edhe Hysen Nikqi.

I graduar lart, nga përgjegjës i stacionit në Pejë, në kryeshef të ndërmarrjes, Nikqi nuk arriti të menaxhojë këtë ndërmarrje duke vazhduar thellimin e krizës.

Emërimi i tij ishte vlerësuar i jashtëligjshëm, për çka ish-ministri Nitaj kishte bërë thirrje vazhdimisht që të pezullohet zgjedhja e tij duke vlerësuar se konkursi i zgjedhjes së kryeshefit ishte i jashtëligjshëm.

Gjatë udhëheqjes së tij, ndërmarrja është shquar për mostransparencë të dhënies së pronave me qera në shpalljen publike të Infrakosit.

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka zgjedhur bordin e përkohshëm në përbërje, Ardita Salihu, Fitnese Ismajli e Afrim Mehmeti.

Zymer Zeka është emëruar kryeshef i përkohshëm i ndërmarrjes duke qenë në të kaluarën si drejtor financiar i Infrakos./indeksonline/