Në një intervistë për KALLXO.com, një ditë pasi Papa Françesku caktoi datën për shenjtërimin e nobelistes shqiptare Nëna Tereze, Vikari gjeneral i Kosovës, Don Lush Gjergji, thotë se dekreti tashmë është nënshkruar nga Papa.
“Sipas të gjitha gjasave 4 shtatori 2016 do të jetë dita e shenjtërimit”, tha ai.
Duke folur për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Vatikanit, Don Lush Gjergji fajin ua la edhe institucioneve të vendit që ende nuk e kanë emëruar një përfaqësues shtetëror që të mbajë kontakte me Selinë e Shenjtë.
“Ne pjesën tonë e kemi bërë si Kishë Katolike. Një gjë e di që Kosova nuk ka emëruar asnjë personalitet i cili do të ishte i ngarkuar për të pasur kontakte zyrtare, ndërsa Selia e Shenjtë para tri viteve e ka bërë këtë, sepse delegati apostolik në Slloveni është delegat edhe për Kosovën”, tha ai.
Por, ai thotë se bota e do dhe e përkrah Kosovën.