Rreth orës 20:00 të së dielës u dëgjuan breshëri armësh në rrethinë të Zubin Potokut në Veri të Kosovës, afër njërës nga barrikadat e vendosura nga serbët atje.
Albanian Post, mbështetur në burime, njoftoi se dyshohej për një sulm ndaj trupave letoneze të KFOR-it.
Në një përgjigje për Albanian Post, nga Zyra për Media e KFOR-it, konfirmuan se ka pasur të shtëna, por nuk përmendën nëse plumbat kishin target ushtarët e tyre.
“Në këtë moment mund të konfirmojmë se një patrullë e KFOR-it derisa ishin në detyrë në rrethinë të Zubin Potokut kanë dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër tyre”, thuhej në përgjigje.
“Nuk ka pasur të lënduar dhe nuk ka pasur dëme në veturë”, deklaruan nga KFOR-i, derisa njoftuan edhe se “tani po kontrollojmë faktet, dhe më pas do të kemi të reja të tjera për rastin”.
Derisa të shtënat u konfirmuan, mediat në Serbi njoftuan se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, po zhvillonte një takim me kryeministren e tij, Ana Brnabiç dhe Shefin e Shtabit të Ushtrisë Serbe, gjeneralin Milan Mojsiloviç.
Pas takimit Vuçiç nuk u deklarua, por një prononcim pati Mojsiloviç.
“Sapo përfundova një takim me komandantin e përgjithshëm dhe tema ishte Kosova. Nuk mund t’ju them detajet e takimit tonë. Përfundimi është se aktualisht jam në rrugë dhe po udhëtoj për në Rashkë”, tha Mojsiloviç.
“Detyrat që kemi marrë ne ushtria serbe dhe unë janë të sakta, të qarta dhe do të zbatohen plotësisht. Situata është komplekse”.
Më pas, mediat serbe raportuan se urdhri ka të bëjë me vendosje të ushtrisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën.
Në anën tjetër, mbështetur në burime, televizioni serb Pink, i afërt me Vuçiç-in, njoftoi se presidenti serb ka marrë një ultimatum nga ambasadorët e shteteve të QUINT-it (SHBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani, Itali) për t’i larguar 11 barrikadat e vendosura në pjesë të ndryshme të veriut.
“Sipas informacioneve jozyrtare, ambasadorët e QUINT-it të dielën në mbrëmje i kanë dërguar ultimatum Vuçic-it që brenda 24 orëve të largohen barrikadat”, thuhet në lajmin e Pink, mbështetur në burimet e televizionit.
Vetë Vuçiç nuk e ka konfirmuar këtë informacion, por nuk ka pasur prononcime as nga ambasadorët e QUINT-it.
Më vonë, në një lidhje direkte për të njëjtin televizion, udhëheqësi politik i serbëve të Kosovës dhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, deklaroi se askush nuk ka sulmuar KFOR-in në Veri.
“Dua të mohoj raportimin e mediave të Prishtinës se ka pasur sulm ndaj njësive të KFOR-it”, deklaroi ai, duke anashkaluar konfirmimin e KFOR-it për të shtënat në rrethinë të Zubin Potokut.
“Informacionet tona nga terreni thonë se nuk ka pasur asnjë sulm ndaj KFOR-it. Situata është e qetë”, pohoi ai.
Por, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shkroi në Twitter se ky mohim po vjen vetëm pasi sulmuesit kuptuan se nuk ishte Policia e Kosovës ndaj të cilës drejtuan armët, por patrulla e KFOR-it.
“Së pari thanë se kishte përplasje në Zubin Potok nga Policia e Kosovës. Kur kuptuan se sulmuan KFOR-in, mohuan sulmet”, shkroi Sveçla.
“Serbia duhet të ndalojë së organizuari strukturat ilegale kriminale që duan destabilizim të Kosovës”, shtoi ai duke përsëritur se “barrikadat duhet të largohen”.
Por, barrikadat tash e më shumë se dy javë nuk po largohen.
Ato fillimisht u vunë si shenjë proteste ndaj arrestimit të Dejan Pantiç nga policia, një ish polic serb i Kosovës që tashmë akuzohet për sulm ndaj policisë.
Ai ishte larguar nga radhët e policisë bashkë me afër 600 të tjerë meqë kolektivisht vendosën ta braktisin forcën policore me urdhër politik të Listës Serbe për të lëshuar institucionet në të gjitha nivelet.
Kjo, pasi qeveria e Kosovës mori vendim të zbatojë masa për vozitësit e makinave me targa ilegale.
Pas sugjerimeve të ndërkombëtarëve Kosova hoqi dorë nga implementimi i masave, por serbët nuk u kthyen në institucione.
Si përshkallëzim vendosën edhe barrikada në 11 vende. Meqë gjithçka u bllokua, Kosova vendosi të mbyllë dy pika kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Kosova vetë nuk po i largon barrikadat dhe këtë ia ka kërkuar KFOR-it. Deri më tani nuk ka ndërmarrë ndonjë hap as KFOR-i, duke lënë të ngrirë situatën në Veri.
Kjo krizë ka bllokuar edhe dialogun në Bruksel, i cili u duk se po futej në një fazë përfundimtare me propozimin franko-gjerman.
Aktualisht në Veri forca patrulluese është KFOR-i, derisa policia e Kosovës nuk mund të lëvizë vetë në vende të ndryshme pa asistencën e KFOR-it.
Për pasojë edhe një grup policësh mbetën të bllokuar në pikat kufitare në Veri për14 ditë, derisa KFOR dhe EULEX ndihmuan zëvendësimin e tyre. /Albanianpost.com