Klubi i Basketbollit “Trepça”, ka reaguar ndaj trajtimit të papërgjegjshëm të palestrës “Minatori”, në Mitrovicë duke theksuar se objekti është lënë në gjendje të rëndë pas përdorimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Komisioni Komunal i Zgjedhjeve.
Sipas reagimit, KB Trepça ka investuar mbi 100 mijë euro gjatë katër viteve të fundit në mirëmbajtjen e palestrës, me qëllim që të mos lejohet degradimi i saj. Nga këto investime, klubi thotë se kanë përfituar edhe klubet e tjera sportive që e shfrytëzojnë këtë objekt.
Klubi thekson se dëmet janë shkaktuar kryesisht në parketin e palestrës, për të cilin janë investuar mjete të konsiderueshme nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në reagim thuhet se në parket janë lënë shpuza cigareje dhe janë shkaktuar dëmtime që e bëjnë pothuajse të pamundur zhvillimin normal të stërvitjeve.

“Ky është një akt i papërgjegjësisë totale ndaj sportit dhe pronës publike.Palestra “Minatori” shfrytëzohet nga mijëra qytetarë dhe sportistë gjatë vitit dhe meriton trajtim serioz dhe veprim të menjëhershëm.”, thuhet në reagimin e KB Trepçës.
KB Trepça apelon te kryetari i ri i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, që palestra “Minatori” të jetë vetëm në shërbim të sportit dhe të kërkohet përgjegjësi nga institucionet që, sipas klubit, nuk e kanë dorëzuar objektin në gjendjen në të cilën e kanë pranuar.
“Apelojmë te kryetari i ri i Komunës, z. Faton Peci, të angazhohet që palestra të jetë vetëm në shërbim të sportit, për çka është e destinuar, dhe që të kërkojë përgjegjësi nga organet që nuk e dorëzuan në gjendjen që e kanë pranuar. Sporti nuk mund të vazhdojë të paguajë çmimin e papërgjegjësisë institucionale apo personave të papërgjegjshëm në institucione.”- thuhet në reagim.


















