Çfarë ndodh pasi Këshilli i Ministrave të BE’së të votojë sot për vizat

E publikuar: 09/03/2023 13:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Kosova-Eu-ks

Kosova-Eu-ks

Dosja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të shkojë sërish në votim në Komitetin e Parlamentit Europian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE).

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express një zëdhënës i Parlamentit Europian, i cili tregoi edhe datat kur do të votohet për të.

“Këshilli ka miratuar së fundi marrëveshjen për liberalizimin e vizave dhe për shkak se ajo është një marrëveshje e leximit të dytë (qëndrimi i Parlamentit është miratuar në vitin 2019 para zgjedhjeve të mëparshme), ne kemi nevojë që të hedhim në votim prapë në LIBE për të miratuar qëndrimin e Këshillit”.

Afati kohor:

– referimi për LIBE shpallet në seancë plenare javën e ardhshme, më 13-16 mars

– Votimi i LIBE është planifikuar për 22 mars

Ndërkaq, më në fund, votimi në seancë plenare do të jetë në mes të datave 17 dhe 20 prill, sipas PE-së.

LIBE votoi pro liberalizimit të vizave më 12 janar të këtij viti me 48 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenime.

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën sot është në rend të ditës së Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për Çështje të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme.

Sipas agjendëssë publikuar të BE-së, aty pritet miratimi i qëndrimit të Këshillit në lexim të parë dhe i deklaratës me arsyetimet e Këshillit tashmë të miratuar nga COREPER (niveli i ambasadorëve).

Gjatë leximit të parë, Këshilli mund të vendosë të pranojë qëndrimin e Parlamentit Europian, me ç’rast akti legjislativ miratohet, ose mund të ndryshojë qëndrimin e Parlamentit dhe ta kthejë propozimin në Parlament për lexim të dytë.

Pas marrëveshjes ndërmjet shteteve anëtare për liberalizimin e vizave për Kosovën, sipas së cilës ajo duhet të hyjë në fuqi jo më vonë se 1 janar 2024, Komiteti i Përhershëm i Përfaqësuesve (COREPER II) ka dhënë miratimin e tij për propozimin më 30 nëntor të vitit të kaluar.