Çfarë është Artikulli 13 i ligjit të ri Evropian të të drejtave të autorit?

E publikuar: 22/04/2019 17:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Versioni final i ligjit kontrovers të të drejtave të autorit në Bashkimin Evropian është aprovuar pas tre ditësh bisedime në Francë.

Në mesin e gjigantëve të internetit, Google ka qenë ai që më së shumti ka ngritur zërin për ligjin e ri për të cilin thotë se “mund të ndryshojë plotësisht uebin” që njohim ne sot.

Artikulli 13 i Direktivës Evropiane për të Drejtat Autorit thotë se shërbime si YouTube duhet të mbahen përgjegjës nëse përdoruesit ngarkojnë filma dhe muzikë për të cilat nuk kanë të drejta apo leje nga autorët e vërtetë.

Hera e fundit që Bashkimi Evropian prezantoi ligje të reja të të drejtave të autorit ishte viti i largët 2001. Bashkimi Evropian thotë se ndryshimet e reja janë të nevojshme për një epokë dixhitale por jo të gjithë janë dakord me to.

Çfarë është Artikulli 13?

Artikulli 13 është pjesë e Direktivës Evropiane të të Drejtave të Autorit që mbulon mënyrën sesi duhet të menaxhohen rastet e publikimit të përmbajtjeve pa lejen e autorit si programet televizive apo filmat.

Ai do të mbulojë shërbime të cilat janë të disponueshme për akses publik si YouTube, DailyMotion dhe SoundCloud. Megjithatë ka disa përjashtime dhe ato janë:

  • Enciklopeditë online të organizatave jofitimprurëse
  • Platformat e zhvillimit të softuerëve open-source
  • Shërbimet cloud
  • Tregjet online
  • Shërbimet e komunikimit

Çfarë thotë Artikulli 13?

Artikulli 13 thotë se shërbimet e shpërndarjes së përmbajtjeve duhet të licencojnë materialet e mbrojtura nga të drejtat e autorit. Nëse nuk është e mundur dhe materiali është publikuar, kompania mund të mbahet përgjegjëse. Megjithatë në disa rrethana jo si:

  • Ka bërë përpjekjet maksimale për të marrë leje nga mbajtësi i të drejtave të autorit
  • Ka bërë përpjekjet maksimale për tu siguruar se materiali i mbrojtur nuk është bërë i disponueshëm
  • Ka vepruar me shpejtësi për të hequr çdo material që shkel të drejtat autorit dhe që është vënë në dijeni.

Këto rregulla aplikohen për shërbime që janë të disponueshme në Evropë dhe prej mese 3 vitesh si dhe kanë të ardhura vjetore prej 10 milionë euro.

Artikulli 13 thotë se nuk do të prekë përdorimet e ligjshme të përmbajtjes dhe njerëzit do të lejohen të përdorin materiale të mbrojtura për kritikë, analizë dhe parodi.

Cilat janë shqetësimet e ngritura?

Kritikët thonë se do të jetë e pamundur të licencohet materiali përpara se përdoruesit ta ngarkojnë. Eurodeputetja Gjermane Julia Reda sugjeron se shërbimet do të detyrohen të blejnë licenca për çdo gjë që përdoruesit mund të ngarkojnë.

Artikulli 13 nuk ngarkon kompanitë me detyrën për të filtruar atë çfarë përdoruesit ngarkojnë edhe pse kritikët thonë se kompanive nuk u mbetet rrugë tjetër në të vërtetë.

YouTube aktualisht ka në funksion sistemin Content ID i cili mund të gjurmojnë materiale, video dhe muzikë të mbrojtura dhe ti bllokojë. Por kritikët thonë se zhvillimi dhe implementimi i një filtri të tillë do të ishte shumë i kushtueshme për kompanitë e vogla dhe startupet.

Të tjerë paralajmërojnë se algoritmet mund të bëjnë gabime dhe gabimisht të bllokojnë përmbajtje të ligjshme.

Artikulli 13 thotë se shërbimet duhet të vënë në funksion një mekanizëm ankese në mënyrë që përdoruesit me shpejtësi të zgjidhin ankesat nëse përmbajtjet janë bllokuar gabimisht.

Shumica në industrinë e zbavitjes dhe dëfrimit mbështetin Artikullin 13 sepse i bën uebsajtet përgjegjëse nëse dështojnë në licencimin e materialit apo bllokimin e tij të publikuar pa lejet përkatëse.

Çfarë do të ndodhë me YouTube?

Përpara se të aprovohej direktiva, ishin tre versione: një nga Parlamenti Evropian, një nga Këshilli Evropian dhe një nga Komisioni Evropian. Së bashku punuan për të krijuar një version final.

YouTube ka paralajmëruar Parlamentin se drafti origjinal ishte skenari më i keq. Kompania tha se  do të detyrohej të bllokonte videot ekzistuese dhe ngarkimet e reja nga krijuesit në BE dhe të inkurajonte vlogerët të prodhonin video rreth Artikullit 13.

Gjithashtu paralajmëroi se sistemi Content ID funksiononte vetëm me autorët të cilët ofronin detaje rreth materialeve që pretendonin se ishin të tyre. Gjithashtu tha se do të ishte tepër e rrezikshme të lejohej kushdo në Evropë të ngarkojë çfarë të dojë.

Versioni final i Artikullit 13 thotë se shërbimet duhet të bëjnë përpjekjet më të mira për të hequr videot e mbrojtura në rastin kur autori ka ofruar informacionin e duhur dhe të nevojshëm. Duket si një fitore për YouTube.

Në një deklaratë zyrtare gjiganti i motorit të kërkimit Google tha se, “Do të studionte tekstin final të direktivës së të drejtave të autorit në Evropë dhe do ti duhej kohë përpara se të përcaktonte hapat e ardhshëm. Detajet kanë rëndësi dhe ne mirëpresim shansin e një dialogu në mbarë Evropën.”

Si do të ndikojë Artikulli 13 tek lojtarët që ngarkojnë video lojën e tyre?

Adhuruesit e lojërave të cilët ndajnë lojën e tyre në shërbime video streaming si Twitch apo YouTube kanë folur për kompleksitetin e rregullores së re.

Në një produkt të vetëm mund të ekzistojnë disa të drejta autoriale dhe studiot e krijimit kanë pjesën më të madhe të të drejtave si kodi, grafikat, muzika dhe dialogu.

Kur një lojtar krijon një video dhe e ngarkon në YouTube, vetë videoja i përket lojtarit. Megjithatë ka në brendësi edhe të drejtat autoriale të studiove dhe për ta publikuar online duhet leje nga lojtari dhe studioja.

Aktualisht shumica e publikuesve të lojërave i lejojnë lojtarët të shpërndajnë videot e gjatë lojës së tyre. Nintendo ka qenë më i ashpër por së fundi ka zbutur qëndrimin.

Në teori nëse Artikulli 13 bëhet ligj, studiot e lojërave mund ti kërkojnë Twitch dhe YouTube të bllokojnë videot e lojtarëve.

Lojtarët mund të thonë se videot e tyre përjashtohen nga Artikulli 13 sepse kanë shtuar komentin e tyre, kritikën dhe analizën. Megjithatë ky argument mbetet për tu testuar në gjykata.

Çfarë do të ndodhë?

Artikulli 13 përmban disa terma të gjerë dhe të paqartë si nevoja që shërbimet të demonstrojnë standarde të larta të diligencës profesionale.

Derisa të ketë precedentë, me shumë gjasa kjo paqartësi ligjore dhe komerciale do të vazhdojë. Parlamenti Evropian tashmë e ka votuar direktivën dhe mbetet në dorën e qeverive kombëtare të vendosin për implementimin e saj në dy vitet e ardhshme. /PCWorld Albanian