Ndryshimi i këngës fituese në “Eurosong 2015” nga këngëtarja fituese Elhaida Dani ngjalli vëmendjen jo vetëm të opinionit shqiptar, por edhe ndjekësve të Eurosongut në të gjithë Evropën. “Dielli ka vdekur, por Elhaida Dani është gjallë!”. Kështu nis shkrimi i faqes online WiWiBloog, që i referohet Eurosong-ut. Duke qenë se pati mjaft shkrime në lidhje me këtë ndryshim, pritej me shumë kureshtje kënga e re e saj.
Kënga “I’m alive” bëri xhiro në gjithë Evropën dhe pati edhe shumë komente e klikime. Kështu kënga që përfaqëson Shqipërinë u rendit në më të klikuarat e këngëve pjesëmarrëse. Videoklipi i këngës është konsideruar si një ndër më të realizuarit e këtij viti.
Sipas WiWiBloog, këngëtarja është votuar nga audienca e Eurovizionit, duke u renditur në pesëshen më të mirë të këtij kompeticioni: “Vetëm dy ditë pas publikimit të videos së këngës “I’m alive”, kënga ka arritur të grumbullojë rreth 450.000 shikime dhe 10.000 pëlqime. Që prej pjesëmarrjes së saj të parë, Shqipëria i ka rritur pretendimet dhe shanset për Eurovizionin dhe, pse jo tani është edhe favorite për të fituar gjysmëfinalen. Ky është një hap i madh”, shkruhet në WiWiBloog. Kënga “I’m alive”, aktualisht është në Top 5 të këngëve më të klikuara të Eurovisionit. Lista kryesohet nga Anglia me këngën “Still in Love” të Electro Velvet.
Elhaida duket se po favorizohet në forumet online, dhe pritet të renditet mirë në finalen e Eurovizionit. Ajo do të këndojë në gjysmëfinalen e parë të festivalit, me datë 19 maj në Austri. Së fundmi Elhaida, nën kujdesin e stafit të Eurosong-ut ka realizuar edhe një video prezantuese për të gjithë publikun evropian. “Ndihem shumë e gjallë kur e këndoj këtë këngë, edhe pse e kam punuar shumë shpejt dhe vetëm gjatë një fundjavë”, thotë ndër të tjera Elhaida në këtë video.
Këto janë fjalë të këngëtares Elhaida Dani për kanalin zyrtar të festivalit Eurovizion. Videoja e prezantimit të Danit deri ditën e djeshme kishte marrë 31.746 shikime, ndërsa kënga “I’m Alive” deri tani ka mbi 622,638 klikime, duke u bërë një ndër videot më të klikuara të këngëve konkurruese sivjet.