Nga hetimet dhe përgjimet e deritanishme të Antimafias italiane, por edhe të dosjes që po mbush me shpejtësi Prokuroria e Krimeve të Rënda, rezulton se organizata e Habilajve vepronte fuqishëm në territorin, Gjirokastër-Tepelenë-Vlorë-Fier. Aktiviteti i tyre kriminal ishte i përqendruar te kanabisi, por ka të dhëna se ata trafikonin edhe droga më të rënda me të cilat furnizoheshin në qytetin e Fierit.
Për sa i përket hashashit, tashmë është vërtetuar se Habilajt e kishin ciklin të mbyllur; që nga kultivimi dhe deri te transporti në destinaconin e fundit, që përgjithësisht ishte Jugu i Italisë.
Por i gjithë ky aktivitet i vrullshëm i shtrirë në të paktën 4 vite (300 ton janë vërtetuar, vetëm nga Antimafia italiane), nuk mund të bëhej pa një mbrojtje dhe bashkëpunim të fuqishëm me policinë e shtetit. Të gjitha faktet që po pasurohen çdo ditë, të çojnë në konkluzionin se se nëpërmjet ish-ministrit Saimir Tahiri, janë të përfshirë edhe shumë eksponentë të lartë dhe drejtor policie që kanë qenë apo vazhdojnë të jenë me detyra në qarqet Gjirokastër, Vlorë dhe Fier.
Prokuroria e Krimeve të rënda të paktën për një rast i cili vërtetohet nga dy dëshmi duhet urgjentisht të marrë në pyetje, një figurë të njohur të policisë së shtetit, ish drejtorin e policisë së Fierit dhe më pas të Tiranës (sot eksponent në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë), Ervin Hodaj.
Ky individ, del si një përcjellës (tel bakri do të thoshte Edi Rama) ndërmjet Saimir Tahirit dhe Habilajve. Për këtë fakt prokuroria ka të paktën një provë flagrante, që verifikohet nga dy burime brenda pjesëtarëve të policisë që shërbenin në zonën ku vepronin Habilajt, në kulmin e veprimtarisë së tyre.
Për çfarë bëhet fjalë?
Le ta nisim nga dëshmia më e fundit, që hedh edhe më shumë dritë për faktin se Habilajt kishin mbrojtjen e plotë të Tahirit.
Ditën e djeshme, një ish-oficer i antidrogës në Fier, Antonio Nazeraj, në një intervistë për “G. Sh”, ka rrëfyer me imtësi një rast të vitit 2014, kur vëllezërit Habilaj patën një “incident” me policinë në aksin rrugor Levan-Tepelenë.
Nazeraj tregon se një natë ai së bashku efektivë të tjerë të Antidrogës ndaluan Audin e famshëm me targa “AA 003 B”, i cili po shkonte nga Levani në drejtim të Tepelenës.
Ja si e përshkruan Nazeraj këtë “incident” me Habilajt, i cili do ti kushtonte punën, karrierën dhe njësoj si kolegut Drtan Zagani, i rrezikoi edhe heqjen e lirisë.
“Në përgjithësi, atje (Audi që përdornin Habilajt) ne kishim dyshimet tona. Dhe e ndaluam. Në momentin që e kemi ndaluar, nga sa kujtoj, kanë qenë dy vëllezërit Habilaj, dhe ka pasur debat me ta, sepse nuk kanë dashur të kontrollohen nga ana jonë, të bënin kontrollin e makinës, të identitetit të tyre, nuk pranonin dhe patëm konflikt.
Kanë insistuar që mjetit të tyre të mos u bëhej kontroll. Me sa kujtoj ishin të shoqëruar me dy femra. Në këtë moment duke debatuar kujtoj se na kanë kërcënuar, na kanë sharë dhe ofenduar dhe në ato momente, duke debatuar janë larguar nga pika e kontrollit, janë larguar me forcë.
Pa i lejuar ne janë larguar nga pika e kontrollit dhe më pas janë ndaluar dhe kontrolluar nga grupi tjetër, pasi u lajmëruan nga ana jonë.
Më pas ka vajtur edhe grupi ynë dhe janë shoqëruar për në komisariat, automjeti dhe personat. Në komisariat kanë qëndruar rreth 10 minuta apo 15 minuta dhe me urdhër të drejtorit të policisë në atë kohë, janë lënë të lirë. Unë dhe grupi mbërritëm pak më vonë në komisariat dhe në atë moment u është dhënë urdhër që të dilnin nga komisariati dhe të liheshin të lirë. Kur unë dhe kolegët e grupit tim kemi mbërritur në komisariat, ky automjet dhe personat që ishin në të ishin në momentin e daljes nga drejtoria e policisë, duke ofenduar dhe kërcënuar punonjësit e policisë…Ata e kanë shprehur edhe vetë se ishin njerëz të ministrit, kushërinj të tij, ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. Kërcënimi i tyre, ishte se do ta shihni se çfarë do t’ju bëjmë. Do t’jua tregojmë shumë shpejt vendin se ku do të përfundoni, të gjithë ju që keni marrë pjesë në ndalimin dhe shoqërimin tone”.
Kjo është dëshmia e ish oficerit të Antidrogës, Antonio Nazeraj, të cilën prokuroria mund ta thellojë duke marrë në pyetje të gjithë policët e tjerë pjesëtarë në këtë ngjarje të rëndë dhe të turpshme.
Por thelbi qëndron te urdhri “nga lart”, që ka detyruar punonjësit e policisë së Fierit, jo vetëm të lirojnë Habilajt, por edhe të dëgjojnë prej tyre fyerje dhe kërcënime, për “gabimin e madh” që bënë.
Kjo ngjarje dhe dëshmia e Nazerajt përputhet 100% me rrëfimin e 2 viteve më parë të Dritan Zaganit (4 Shtator 2015), pak përpara se të arratisej për në Zvicër, ku pa mëdyshje i dhanë mbrojtje dhe azil politik.
Zagani rrëfeu atëherë, se si një nga njerëzit më të besuar të Tahirit, Ervin Hodaj, ndërhyri për të liruar dy nga vëllezërit kur u shoqëruan në ambientet e policisë, pasi kishin fyer dhe kundërshtuar me forcë një kontroll të policie. Bëhet fjalë për të njëjtën ngjarje, për të cilën flet sot Antonion Nazeraj.
“Këtë makinë policia e ka ndaluar në dy të natës në autostradën Gjirokastër-Levan. Kanë bërë debat e sherr me çunat tanë. Nuk kanë pranuar të kontrollohen. Janë shoqëruar deri në drejtori. Kanë qenë të pirë dhe të shoqëruar me dy femra. Sa janë futur brenda kanë filluar të ofendojnë policat. Mori në celular drejtori, Ervin Hodaj, dhe tha lirojini ata. Aty mësova kush paska qenë në Audi atë nate (kur ndoqi trafikantin A.D). Pastaj në Vlorë e verifikova disa herë që e kishin ata”, ka dëshmuar që në atë kohë Zagani.
Pa plasjes së këtij skandali me të cilin Edi Rama u morr, edhe vetë personalisht duke e quajtur denoncuesin në prani të 2 mijë policëve, “kriminel dhe shërbëtor i trafikantëve”, Saimir Tahiri e shpërbleu Ervin Hodajn, duke e bërë drejtor të policisë në qarkun më të madh dhe të rëndësishëm të vendit, atë të Tiranës.
Pra Habilajt jo vetëm përdornin një makinë që kishte imunitetin e letrave të ministrit, por kishin edhe mbrojtjen e hapur të drejtuesve të lartë të policisë në gjithë territorin e vendit (përfshi edhe doganat) ku lëviznin.
Prokuroria e Krimeve të Rënda nëse është aq e vendosur sa po shfaqet për ti shkuar deri në fund hetimit të Tahirit, si i përfshirë direkt në organizatën e Habilajve, mund ta nisë edhe nga marrja në pyetje e Hodajt, i cili duhet të shpjegojë nën dritën e hetimit të Antimafias Italiane, se përse nuk lejoi kontrollin e mjetit të Habilajve për të cilin dyshohej se transportohej drogë (I Tahirit në fakt)
Përse dha urdhër, që të liroheshin brenda 10-15 minutash dhe në shërbim të kujt e bëri këtë?
Kjo është një fije e rëndësishme e cila tashmë ka dalë sheshit. Krimet e Rënda mjafton ta ndjekin deri në fund nëse duan të provojnë, se ajo të çon direkt te Saimir Tahiri.

















