Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pranuar të gjitha mangësitë në organizim që quan në rezultatin e dobët të kësaj partie në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit të vitit të kaluar, duke ofruar dorëheqjen në Kuvendit e LDK-së.
Ky kuvend pritet të vendos me votë nëse do t’i besojë Abdixhikut të vazhdojë në karrigen e kryetarit apo jo.
Për këtë karrige, Abdixhiku para delegatëve tha se ka shumë që e lakmojnë por që nuk e kuptojnë.
Megjithatë, nën emocion tregoi se ka menduar disa herë dorëheqjen e parevokushme dhe se ka dëgjuar kritikat ndaj tij por edhe mbështetjen nga mijëra persona që e duan LDK-në.
Ai në një fjalim 37 faqesh ose mbi një orë e 20 minutësh, foli për organizimin e brendshëm të LDK-së, që shpesh tha se nuk ka qen solidar, derisa është shprehur i habitur se si ka mundësi nga zgjedhjet lokale më 12 tetor, deri tek ato të parakohshme të 28 dhjetorit, të humbin aq shumë vota.
Sipas tij, përgjegjësia ka emër, funksion dhe adresë, që është ai si prijës i kësaj partie, gjë që i merr mbi vete të gjitha përgjegjësitë, jo pjesërisht, as me kusht dhe as duke i ndarë sipas rrethanave, por plotësisht.
Abdixhiku: Ju pyes çfarë dëshironi të bëni me mua si kryetar Video
“Me përgjegjësi të plotë morale dhe politike, ia ofroj për shqyrtim Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dorëheqjen time nga detyra e Kryetarit, për ta vendosur përballë këtij Kuvendi çështjen e votëbesimit. Nuk e bëj këtë për ta shmangur përgjegjësinë, por për ta përmbushur atë si detyrim moral. Nuk e bëj këtë për të krijuar krizë, por për ta sqaruar drejtimin që na duhet përpara. Nuk e bëj këtë për ta ndarë LDK-në, por për ta bashkuar rreth vendimit më të lartë të saj. Prandaj ju pyes, çfarë dëshironi të bëni me mua si kryetar, dhe me të ardhmen e kësaj partie? Çfarëdo vendimi që merrni, unë do ta respektoj me qetësi, dinjitet dhe besim. Sepse besoj te kjo sallë. Besoj te ky Kuvend. Besoj te pjekuria politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha ai.
Ndërkohë, ka treguar se pse ndihet keq.
“Ndjehem keq jo për shkak të mosarritjes personale, por për shkak të zhgënjimit kolektiv që kemi pasur. Sepse nuk kam arritur të realizojë pritjet e një anëtarësie të pastër në shpirt, të drejtë në vlerë, të fortë në ideal. Rrugëtimin e deritanishëm e përjetoj me plot krenari. Sepse për pesë vite i kam prirë njerëzve më të mirë që mund ti takojë e përpjekë njeriu në një jetë. Ju jeni ata që e mbajnë këtë parti në këmbë edhe atëherë kur është më e vështirë. Jo sepse është e lehtë, por sepse është e drejtë”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku u ndal edhe te persona që synojnë karrigen e kryetarit të partisë, duke thënë se më shumë është lakmuar se sa është kuptuar.
“Shumë sy kanë qenë të drejtuar kah kjo karrige pas meje. I kuptoj. I respektoj. Kjo shtëpi ka nevojë për ambicien e secilit. Por shpesh, kam përshtypjen se ajo është lakmuar më shumë sesa është kuptuar. Sepse forca e vërtetë e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk qëndron në një karrige të vetme. Ajo qëndron këtu përballë meje. Në këtë sallë. Në vullnetin tuaj. Këtu përcaktohet fati i secilit prej nesh dhe këtu matet fuqia jonë e vërtetë. Prandaj, nga ky moment, i kaloj punimet tek Kryesia e Punës e këtij Kuvendi. Këto punime duhet të jenë të pavarura nga çfarëdo ndikimi individual.”, ka thënë Abdixhiku.
Rezultati i LDK-së në zgjedhjet e parakoshme e që mblodhi Kuvendin, Abdixhiku tha se nuk erdhi nga një gabim i vetëm, as nga një natë një vendim i vetëm, por erdhi ngadalë si grumbullim.
“Le ta themi troç. LDK-së i ka munguar solidariteti i brendshëm. Dhe pa këtë solidaritet të brendshëm, do të ngrihemi për të rënë. Siç na ndodhi në vitin 2025. I shtojmë 70 mijë vota, i humbim 45 mijë sosh; dhe më pas duhet të mbajmë përgjegjësi për humbjen e votave që i kemi shtuar vet. Pa këtë solidaritet dy kahor, pra ku nuk merret përgjegjësia e pozita për të pritur rënien e zënë rend, por për të ngritur partinë me betejë të sinqertë; nuk do të na shohin as të gatshëm e edhe më pak si idealistë”, tha ai, derisa shtoi se ata që janë në LDK dhe hedhin vrerë ndaj saj, ndodhta është monenti të mos jenë në ato pozita, duke bllokuar vendin personave që mund të kontribojnë për forcimin e partisë, sepse ai si i vetëm nuk mund të bëjë mrekulli.
“Unë nuk mund të bëj mrekulli vetë. Asnjë kryetar nuk mundet. Dhe për më tepër, asnjë strukturë qendrore nuk mundet. Partia është organizim. Është zinxhir pune, përgjegjësie dhe angazhimi që nis nga qendra dhe përfundon në çdo degë, në çdo nëndegë, në çdo lagje e fshat….. Si është e mundur që LDK të fitojë zgjedhjet lokale, dhe pesë javë më pas të reduktohet aq shumë në zgjedhje nacionale? Është faji te prijësi? Tek ekipi? Tek mesazhi? Apo tek angazhimi i secilit veprimtar në secilin drejtim. Nëse është faji te prijësi i partisë, zgjidhja është krejt e lehtë. Ndërrohet. Bëhet tjetri. Por nëse struktura jonë nuk arrin ta mbajë të njëjtin intensitet, disiplinë dhe mobilizim në çdo cikël zgjedhor, atëherë kemi problem më të thellë; kemi problem organizativ”, tha ai.
Kuvendi po vazhdon punimet me një debat i cili pritet të zgjasë, e më pas 355 delegatë do të votojnë për apo kundër dorëheqjes së Abdixhikut.


















