Mbrojtësi i Barcelonës Gerard Pique kthehet në një cështje te Spanja, duke detyruar Federatën Spanjolle të Futbollit të ndryshojë stadiumin ku do të luhet sfida miqësore e 13 Nëntorit të ardhshëm mes La Rojas dhe Anglisë, për të evituar që konflikti në të cilin është përfshirë mbrojtësi 28-vjecar të marrë përmasa akoma edhe më të mëdha. Takimi mes këtyre dy gjigandëve të futbollit europian dhe atij botëror nuk do të zhvillohet në Santiago Bernabeu sic ishte programuar fillimisht por në stadiumin “Joze Rico Perez të Alicantes”, kjo për shkak se Federata Spanjolle kërkon të evitojë vërshëllimat që mund të shkonin në drejtim të Gerard Pique nëse sfida luhej në impiantin e Realit të Madridit.
Mes tifozëve të klubit merengues dhe shtalartit të Barcelonës ekziston ende një konflikt i hapur kjo për faktin se 28-vjecari përdori disa fraza fyese në drejtim të Cristiano Ronaldos dhe Los Blancos. Polemikat nisën kur në festimet e Barcelonës për suksesin e trefishtë gjatë sezonit të kaluar Pique falenderoi publikisht këngëtarin Kevin Roldan për performacën e tij në festën e ditëlindjes së 30-të të Cristiano Ronaldos. Tifozëve të Realit nuk u ka pëlqyer aspak sjellja e mbrojtësit dhe që nga ai moment kanë nisur të polemizojnë me lojtarin. Në këtë mënyrë për të evituar vërshëllimat nga tifozët madrilenë në drejtim të Piques Federata Spanjolle ka vendosur ta zhvendosë në Alicante sfidën ndaj Anglisë. Ky takim do të luhet vetëm nëse Spanja arrin të sigurojë kualifikimin direkt në Francë pasi në të kundërt në muajin Nëntor do të ishte e impenjuar në sfidat play-off.