Çështja e Sekretarit të Kuvendit, IKD: Kryesia arbitrarisht shpalli konkurs të ri, precedent i rrezikshëm, përgjegjësia fillimisht është mbi Haxhiun

E publikuar: 04/04/2026 11:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar se refuzimi i Kryesisë së Kuvendit për të përzgjedhur Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, si dhe për të shpallur konkurs të ri ‘’pa asnjë bazë ligjore’’ përbën një nga shembujt më të qartë të mosrespektimit të ligjit, zvarritjes institucionale dhe vendimmarrjes arbitrare nga vetë institucioni që duhet të garantojë sundimin e ligjit.

Në komunikatën për media, IKD, shton se kryesia e kuvendit ‘’në mënyrë arbitrare’’ ka shpallur konkurs të ri, duke mos votuar asnjërin prej kandidatëve të propozuar, gjë e cila, shton IKD, është në kundërshtim të hapur me legjislacionin në fuqi.

Në këtë rast, moszgjedhja e kandidatit nuk është thjesht një lëshim procedural. Ajo përbën refuzim për të zbatuar ligjin sipas rezultatit të një procesi të ligjshëm administrativ. Kështu, kjo mënyrë e veprimit paraqet ndërhyrje arbitrare në një procedurë që tashmë kishte përfunduar. Më shqetësues është fakti se propozimi për anulimin e konkursit nuk ka marrë as mbështetjen e nevojshme në Kryesi. Me tre vota për dhe tre abstenime, Kryesia nuk ka arritur të marrë asnjë vendim përfundimtar, duke e lënë Kuvendin në një situatë të papranueshme të paralizës së një institucioni të rëndësishëm., thuhet mes tjerash në komunikatë.

Tutje, IKD ka bërë thirrje kuvendit që të rikthejë ligjshmërinë në këtë proces, duke përzgjedhur menjëherë njërin nga kandidatët e propozuar dhe duke ndalur praktikat arbitrare që cenojnë integritetin e administratës publike, funksionimin normal të Kuvendit dhe besimin e qytetarëve në institucionet e vendit.