Filharmonia e Kosovës ka shënuar fillimin e vitit artistik me një koncert të jashtëzakonshëm, i cili solli një ndërthurje të muzikës klasike evropiane dhe krijimtarisë kombëtare shqiptare.
Në koncertin e parë të këtij viti, nën dirigjimin e Marco Crispo dhe me pjesëmarrjen e flautistes Iris Daveri, publiku u njoh me një program të pasur që përfshiu vepra të kompozitorëve të njohur botërorë si Charles Ives, Claude Debussy, Jacques Ibert dhe Igor Stravinsky.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte rikthimi i veprës “Skënderbeu” të kompozitorit Fahri Beqiri, e interpretuar për të përkujtuar 90-vjetorin e lindjes dhe 5-vjetorin e ndarjes nga jeta të këtij emri të rëndësishëm të muzikës shqiptare.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka vlerësuar lart koncertin, duke theksuar se kjo mbrëmje shënon një fillim të fuqishëm të një viti të ri me program të pasur dhe cilësor artistik nga Filharmonia e Kosovës.
Koncerti u prit me interes të madh nga publiku dhe konfirmoi rolin e Filharmonisë si një nga institucionet kyçe të jetës kulturore në vend.















