Çeku në takimin e PDK-së me veteranët: Thaçi e Veseli po i mungojnë Kosovës, shumë shpejt në mesin tonë

E publikuar: 26/01/2025 17:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, njëherësh edhe ish-ministër i Mbrojtjes, në takimin e Partisë Demokratike të Kosovës me veteranët e luftës, ka thënë se beson se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerët shumë shpejt do të jenë në Kosovë.

“Ma keni bërë një nder të madh, që edhe një herë ta kam rastin që të dal para bashkëqytetarëve të mi, t’ju drejtohem atyre. Fitoren e kemi të sigurt, fitoren e kemi të afërt këto dy javë. Faleminderit që jemi bashkë sot, ajo çfarë na bashkon është Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Çdo prezencë e juve tregon se sa e fortë, sa e fuqishme është lidhja jonë me Partinë Demokratike të Kosovës. Nuk është e rastësishme që themeluesit e UÇK-së janë edhe themelues të PDK-së. Ndërsa, themelues të UÇK-së dhe themelues të PDK-së janë themelues të shtetit tonë.

Ata janë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli dhe bashkëluftëtarë të tjerë që janë sot në Hagë. Ata po na mungojnë shumë, po ju mungon edhe anëtarëve të familjes, po i mungojnë PDK-së dhe Kosovës. U bënë më shumë se katër vite që nuk janë në mesin tonë. Ata janë në një betejë duke mbrojtur luftën tonë dhe besoj fuqishëm që shumë shpejt do t’i kemi pranë nesh.

Ne nuk mund ta ndërtojmë të ardhmen pa e respektu dhe pa kujtu të kalumen. E di që të gjithëve na ka marrë mallin Hashimin, Kadrinë dhe të gjithë të tjerë”, deklaroi Çeku.