Numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi ka reaguar ndaj deklaratës së Ismet Beqirit se është shqetësuar me atë që Policia e Kosovës ka gjetur në zyrat e Vetëvendosjes.
“Koalicioni i turpit dhe Ismet Beqiri po përpiqen që nëpërmjet metodave të regjimit i Milosheviqit, duke montuar ‘prova’ ashtu siç dikur montonte policia e Serbisë, të mbrojnë terrorin e mbrëmshëm të ushtruar mbi aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Çaushi. “Vdekjeprurëse janë armët e njësiteve speciale që dje sulmuan zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje. Vdekjeprurëse për Republikën është ‘Zajednica’”, ka shtuar më tej.
Ndërkohë, sot gjatë ditë Policia e Kosovës ka ekspozuar krejt ato që i ka pajisjet e jashtëligjshme që thotë se i ka gjetur në Vetëvendosje. (Lexo më shumë)
Kjo kishte ngjallur reagimin e Ismet Beqirit, sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, që ishte shprehur i shqetësuar me ato që ka parë. Ai kishte thënë se nuk po arrin ta kuptojë “se si ka mundësi, që një parti politike të rrëshqasë në këtë nivel, duke e shndërruar selinë e saj në depo mjetesh luftarake, që kanë për synim lëndimin, frikësimin dhe rrezikojnë edhe vrasjen e ndonjë njeriu”.
Beqiri ka thënë edhe se Vetëvendosje ka kohë që synon të zhysë vendin në anarki e kaos.