Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi ka folur për vizitën që bëri sot në Kosovë Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.
Sipas Çaushit, të interpretosh vizitat e deklarimet e fundit të pushtetarëve të Beogradit në Kosovë vetëm në cilësinë e provokimeve do të ishte shumë naive.
“Mbi të gjitha, këto qëndrime vetëm sa po zbulojnë çdo herë e më qartë planet e etabluara të shtetit serb për të rikthyer ndikimin dhe kontrollin mbi Kosovën”, ka thënë çaushi, teksa ka cituar këtë deklaratë të Daçiqit:
“Krime nuk ka kryer askush në emër të shtetit të Serbisë, ekzistojnë emra dhe mbiemra të njerëzve dhe në këtë drejtim është duke u punuar… Së shpejti do ta kemi Gjykatën Speciale për krime lufte ndaj serbëve… Në anën tjetër nëse nisim që të diskutojmë se kush kujt duhet t’i kërkoj falje, do të shkojmë kush e di se ku në histori dhe do të nis mosmarrëveshja se kush kujt duhet t’i kërkoj falje më shumë…”.

















