Nenad Çanak, kryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, ka përkrahur vendimin e përfaqësuesve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës që të mbështesin zgjedhjen e Qeverisë së re.
“Ky vendim është racional dhe paraqet hap drejt qetësimit të situatës në Kosovë. Realizimi i të gjitha të drejtave të garantuara të serbëve dhe të pakicave tjera kombëtare në Kosovë duhet të jetë prioritet i qeverisë së sapozgjedhur”, ka deklaruar Çanak, raporton Koha.net.
LSV, thotë Çanak, qysh para më shumë se 10 vjetësh, kishte deklaruar se ikja nga realiteti nuk është e mirë për Serbinë, dhe se futja e kokës në rërë më së shumti i ka dëmtuar interesat e serbëve në Kosovë.
“Serbia dhe Kosova duhet që sa më parë të vazhdojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve, sepse pa dialog dhe gatishmëri reciproke në bashkëpunim nuk do të mundësohet modernizimi dhe zhvillimi as i Kosovës e as i Serbisë. Marrëdhëniet e mira janë në interes të të gjithë qytetarëve në Serbi dhe Kosovë”, ka deklaruar Çanak.














