Lorik Cana nuk është i bindur nëse do të vijojë të japë kontribut për Shqipërisë pas eliminatoreve të “Euro 2016″. Kapiteni i kuqezinjve konfirmoi në konferencën për shtyp para miqësores me Gjerogjinë konfirmoi atë që kishte thënë para ndeshjes festive me Kosovën. Pas “Francë 2016″, do të vendosë nëse do të tërhiqet nga kombëtarja.
“Unë tani jam 33 vjec dhe sigurisht që do të vijë koha që do të tërhiqem nga kombëtarja. Për momentin jam i përqendruar sikurse të gjithë futbollistët e tjerë të kombëtares të jemi në formë për Europianin. Më pas do të ulem bashkë me familjarët e mi dhe me drejtuesit e federatës për të marrë një vendim”.
Mbrojtësi i Nantes e kishte të vështirë t’i jepte një përgjigjje pyetjes se cili do të jetë pasuesi i tij në kombëtaren kuqezi.
“Nuk është koha dhe momenti për të folur për këtë cështje”.
Pavarësisht akteve terroriste që goditën Francë, Cana është i bindur se Euro 2016, do të jetë një eveniment madhështor, kur edhe Shqipëria do të thotë fjalën e saj.
“Unë nuk kam dyshime, Franca 2006 do të jetë një event madhështor, ku edhe Shqipëria do të thotë fjalën e saj. Ne do të jemi shembull i bashkëjetesës fetare dhe i harmonisë mes individëve ndoshta në shumë aspekte janë të ndryshëm nga njëri-tjetri”.
Duke iu kthyer miqësores me Gjeorgjinë, kapiteni kuqeiz theksoi se do të jetë një test shumë i vlefshëm për Shqipërinë për objektivat për të ardhmen.