Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka votuar për prokurorët të cilët janë caktuar për panelet hetimore me mandat trevjeçar.
Kjo u vendos në një mbledhje të këtij këshilli që u mbajt sot, transmeton Klankosova.tv.
“Më tej, KPK-ja ka miratuar kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës për të filluar procedurat për avancimin e një prokurori në Departamentin për Krime të Rënda në këtë prokurori, me ç’rast ka votuar për shpalljen e brendshme për avancim sipas kërkesës së lartcekur”.
“Në vazhdim është trajtuar Raporti i Komisionit për avancim të prokurorëve të Shtetit, ku është bërë avancimi i dy prokurorëve në Prokurorinë e Apelit dhe dy prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Në fund të këtij takimi është trajtuar Raporti i Komisionit për vlerësimin e performancës së 12 prokurorëve me mandat fillestar, raport ky, i cili është miratuar pjesërisht nga anëtarët e KPK-së”, thuhet në njoftim.

















