Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar lidhur me çështjen e fletëvotimeve të cilave nuk u përputhet kodi i vendvotimit me atë ku është votuar, duke e cilësuar rastin si shqetësues dhe me pasoja të mundshme në integritetin e zgjedhjeve.
Cakolli thekson se çdo fletëvotim që nuk përputhet me kodin e vendvotimit duhet të shpallet i pavlefshëm, por sipas tij, problemi nuk përfundon aty.
“Pikë së pari, çdo fletëvotim të cilit nuk i përputhet kodi i vendvotimit me atë ku është votuar, duhet të shpallet i pavlefshëm. Por edhe kjo, në vetvete, nuk garanton se problemi është adresuar në tërësi. Sepse thelbi nuk është vetëm gabimi teknik, por përmasat e tij – pra, sa fletëvotime janë prekur, në cilat vendvotime, dhe a ka pasur ndikim në rezultat,” ka shkruar Cakolli.
Ai ka kritikuar qasjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kompanisë CETIS, duke thënë se mungesa e informacioneve të sakta vetëm e rrit dyshimin për seriozitetin e situatës.
“Sqarimet e CETIS-it dhe KQZ-së e bëjnë rastin më të çuditshëm sa më shumë që i lexon. Sepse, mungesa e çfarëdo informate zyrtare nga KQZ-ja mbi shtrirjen reale të problemit, dhe bartja e tërë përgjegjësisë te kompania CETIS, që më shumë krijoi konfuzion sesa sqaroi me deklaratën e saj, është në vetvete tejet problematike,” ka shtuar ai.
Sipas Cakollit, fakti që ende nuk dihet saktësisht sa fletëvotime janë prekur, e vë në pikëpyetje të madhe integritetin e procesit zgjedhor.
“Nëse as kompania nuk e di sa dengje dhe fletëvotime janë prekur, si mund të garantohet integriteti, kur ende rreth 75% e vendvotimeve të Mitrovicës nuk janë procesuar dhe fletëvotimet e dyshimta nuk janë verifikuar fizikisht?” ka shkruar ai.
Ai shtoi se çdo deklaratë që e minimizon problemin si ‘gabim teknik’ është spekulim.
“Në një proces zgjedhor, s’ka më keq se kur një ‘gabim teknik’ trajtohet si rrezik politik që duhet menaxhuar disi, në vend se si problem që duhet hetuar deri në fund,” ka theksuar Cakolli.


















